Shtetësi për investitorët e huaj

12/12/2012 00:00

Qeveria miratoi një vendim që u jep shtetësinë shqiptare të huajve, kur ata investojnë në Shqipëri mbi 200 mijë dollarë.

Ky vendim, sipas kryeministrit Berisha, është një praktikë e ndjekur nga disa vende të rajonit dhe Bashkimit Europian.

Në rast se shtetasi i huaj që investon këtë shumë parash në Shqipëri, ai do ta marrë shtetësinë, pavarësisht se mund të mos plotësojë një sërë kriteresh të tjera që janë të përcaktuara në ligj.

I vetmi përjashtim që bëhet nga ky rregull i ri është respektimi i pikës 6 të ligjit në fuqi, që thotë se  “Pranimi si shtetas shqiptar duhet të mos prekë sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës së Shqipërisë”.

Përsa i përket nismës për marrjen e shtetësisë shqiptare nga çdo shqiptar, pavarësisht se ku jeton, kryeministri Berisha theksoi edhe një herë se kjo nismë do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve për të mos ngatërruar interesin kombëtar me interesa partiake.

Kryeministri theksoi edhe njëherë se pavarësisht albanofobëve, që mohojnë se kombi shqiptar është i copëtuar në 5 shtete, Shqipëria është e përcaktuar si një vend që nuk ka asnjë ambicie territoriale dhe ka shprehur në mënyrë të përsëritur qëndrimin “se vizatimi i kufijve në këtë kohë nuk është në interesin e shqiptarëve”.

Top Channel