Prioritetet e zgjerimit në 2013

12/12/2012 19:30

Megjithëse nga Brukseli nuk pati asnjë lajm të mirë për asnjë nga vendet e Ballkanit, në konkluzionet e ministrave të Bashkimit Europian, “zgjerimi” përkufizohet si politikë kyçe e BE-së.

Nëpërmjet shembujve pozitivë të anëtarësimit të pritshëm të Kroacisë në vitin 2013, çeljes së negociatave me Malin e Zi dhe statusin kandidat për Serbinë, BE dëshmon se përgjigjet kur plotësohen kushtet.

Përmes kushtëzimit të ndershëm dhe rigoroz, prioriteti i këtij viti është fusha e Shtetit të së Drejtës.

“Përforcimi i shtetit të së drejtës dhe qeverisjes demokratike mbetet thelbësor që vendet e zgjerimit të afrohen më shumë me BE-në e që më vonë të marrin përsipër detyrimet e anëtarësimit. Këshilli vëren me kënaqësi se qasja e re e negociatave në fushat e gjyqësorit, të drejtave themelore, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, vë çështjet e Shtetit të së Drejtës, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në qendër të politikës së zgjerimit”, thuhet në konkluzione.

Shqetësim të veçantë për vendet anëtare përbëjnë problemet që prekin lirinë e shprehjes.

“Këshilli përsërit se në një numër vendesh të zgjerimit, problemet që prekin lirinë e shprehjes, përfshirë ndërhyrjet politike në media, përbëjnë një shqetësim të veçantë dhe për këtë fton Komisionin të vëzhgojë nga afër zhvillimet në këtë fushë”, vijojnë më tej konkluzionet.

Në përfundimet për politikën e zgjerimit këtë vit, BE garanton vijimin, në këtë kohë krize, të mbështetjes financiare të vendeve të zgjerimit, dhe bën thirrje për ruajtjen e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore në rajon.

Arta Tozaj

Top Channel