PE për deklaratat nacionaliste

12/12/2012 19:40

Parlamenti Evropian debaton në mbrëmje, në seancë plenare në Strasburg, mbi rezolutën për Shqipërinë. Në politikën e zgjerimit, ekskluzivitet i vendeve anëtare, qëndrimet e Parlamentit janë vetëm këshillimore.

Por edhe mbështetja simbolike për dhënien e statusit, me plotësimin e kushteve, vjen pas miratimit të konkluzioneve refuzuese të Këshillit të Ministrave të BE-së.

Njësoj si në përfundimet e vendeve anëtare, edhe në rezolutën e Parlamentit është shtuar ndërkohë një amendament për retorikën nacionaliste nga eurodeputetja e djathtë greke Marietta Giannakou.

“PE lavdëron Shqipërinë për nxitjen e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore, por përsërit bindjen se kufijtë e Ballkanit duhen respektuar plotësisht dhe i bën thirrje të gjitha palëve të përfshira që të frenohen nga çdo veprim që mund të shkaktojë tensione rajonale. Gjithashtu, PE mirëpret politikat e qeverisë kundrejt komuniteteve shqiptare në vendet fqinje, veçanërisht për këshillimin e tyre të bashkëpunojnë me qeveritë respektive për zgjidhjen e problemeve”, thotë deputetja Giannakou.

Pas debateve të sotme, rezoluta e PE-së për Shqipërinë dhe amendamentet shtesë pritet të votohen mesditën e së enjtes në ditën e fundit të seancës plenare në Strasburg.

Ernest Bunguri

Top Channel