Numri i fëmijëve që përjetojnë dhunë fizike dhe psikologjike në shkolla apo edhe në shtëpi, mbetet në shifra të larta. Sipas një sondazhi të mbështetur nga UNICEF, rezulton se fëmijët që jetojnë në zonat urbane dhe ato që ndjekin klasën e 6-të deri në të 12 përjetojnë dhunë fizike dhe psikologjike, sa nga prindërit e mësuesit, aq edhe nga njëri-tjetri.

Për të zbutur këtë fenomen që është shtrirë në një pjesë të madhe të shoqërisë, 450 mijë prindër kanë firmosur një peticion ku kërkojnë ndaljen e dhunës ndaj fëmijëve të tyre.

“Kur kam qenë i ri kisha një mësues që më tërhiqte veshin çka bëri që unë të mos ta duroja atë lëndë, ndaj kjo sjellje s’të bën student më të mirë. Kur një mësues provokohet rëndë, në vend që të godasë nxënësit duhet të mësohet të bëjë një pushim e më pas të gjejë një zgjidhje jo të dhunshme”, thotë Detlef Palm i UNICEF.

Për herë të parë në shkollat e vendit do të aplikohet një formë e re për trajtimin e rasteve të dhunës. Nëse mësuesi vë re një incident në klasë, ai nxjerr kartën ‘peep’, çka do të thotë marrjen e një vendimi në qetësi për incidentin e ndodhur dhe gjetja e zgjidhjes në formë kompromisi pa dhunë.

“A e mendoni se çdo të thotë të trondisësh një fëmijë emocionalisht?! Do të thotë që ai të mos ketë më besim, të mos ta rrisësh dot më. Do të thotë që ai nesër të mos ta bësh kapital të fuqishëm për të menaxhuar jetën, por ta bësh kapital dyshues për të vazhduar jetën”, deklaroi zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj.

Dhuna verbale ndaj fëmijëve është më e përhapur se dhuna fizike dhe kryesisht janë të përfshirë meshkujt. Ushtrimi i dhunës ndikon në dëshirën e fëmijëve për të shkuar në shkollë, por edhe në gjendjen e tyre psikologjike.

UNICEF dhe Ministria e Arsimit ka futur në shkolla metodat e reja të disiplinimit që përkufizohen me tre fjalë “buzëqesh, bëj durim, më mëso”.

Top Channel