Vizita në Tiranë e kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas marrjes së pafajësisë nga gjykata e Hagës, ka nxjerrë në pah qëndrimet e njëjta të zotit Haradinaj dhe kryeministrit Berisha për disa çështje.

Së pari, që të dy politikanët kanë theksuar se, “konsolidimi i mëtejshëm i pavarësisë së Kosovës është një interes jetik për shqiptarët”, por dhe ideali i bashkimit kombëtar është me po kaq rëndësi.

Një nga idetë e kryeministrit Berisha për të realizuar këtë bashkim, për të cilin ai nuk harron asnjëherë ta shoqërojë me togfjalëshin “bashkim i shqiptarëve në Europë”, nisma për ligjin e shtetësisë është cilësuar nga zoti Haradinaj si rivendosje e një të drejte historike për shqiptarët.

“Është e drejtë e të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë së 1913-ës”, deklaroi Haradinaj në konferencën e përbashkët për shtyp.

“Përsa i përket qëndrimeve të mija ndaj shtetësisë së shqiptarëve kudo ku janë, këto qëndrime jam i bindur se kontribuojnë më shumë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Nga ana tjetër, këto qëndirme janë adaptuar nga disa vende të BE-së dhe nuk është një shpikje e imja. Kjo praktikë jo vetëm nuk destabilizon, por prodhon më shumë stabilitet dhe zhvillim. Në këtë Shqipëri janë aksionarë shqiptarët kudo që ndodhen. Edhe ata të diapsorës”, tha nga ana e tij kryeministri Berisha.

Gjatë qëndrimit në Tiranë, kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës iu rezervua një pritje ceremonilae nga autoritetet më të larta të shtetit shqiptar, përfshirë edhe presidentin e Republikës. Zoti Nishani e dekoroi ish-komandantin e UÇK-së dhe ish-kryeministrin e Kosovës me urdhërin e lartë Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.

Zoti Haradinaj është takuar edhe me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, i cili e vuri theksin tek një sërë reformash që duhen realizuar në një sërë sektorësh e që do të përafrojnë më tej Shqipërinë me Kosovën.

“Unë kam ndarë me mikun tonë të çmuar dhe shumë të posaçëm këndvështrimin e Partisë Socialiste lidhur me domosdoshmërinë për të ndërtuar një projekt të përbashkët konkret mes dy shteteve, mes dy qeverive, për të pasur një udhërrëfyes në një proçes drejt bashkimit kombëtar, si një bashkim i shqiptarëve nën qiellin e Europës së Bashkuar. Për t’i paraprirë proçesit të pandalshëm me një projekt kombëtar, i cili të përfshijë sistemin e unifikuar arsimor për fëmijët e Shqipërisë dhe të Kosovës; sigurinë energjetike të shqiptarëve këtej dhe andej kufirit; një ofertë turistike të unifikuar; një zhvillim rural të qëndrueshëm edhe në funksion të një sovraniteti ushqimor, gjithmonë e më të domosdoshëm në kohën e sotme, e që nënkupton edhe bashkimin doganor mes dy shteteve”, deklaroi Rama.

“E vërteta është që ne e kemi qartësi për rrugën para nesh. Të gjithë ne jemi përcaktuar për integrimet europiane, për një rajon në paqe, për marrëdhënie të mira fqinjësore. Por ajo që është me rëndësi dhe që e kemi synim të gjithë, është përmirësimi i jetës së qytetarëve dhe një zhvillim ekonomik i qëndrueshëm. Tashmë, biseduam edhe për mënyrat sesi mund të avancohet më tej, sesi mund të rritet më shumë shkëmbimi i ndërsjelltë për të mirën e qytetarëve tanë”, tha Haradinaj nga ana e tij.

Një takim tjetër i zotit Haradinaj ka qenë edhe me kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ndërsa në mbrëmje Haradinaj iu drejtua me një fjalim deputetëve në një senacë parlamentare jashtë radhe.

“Shqipëria e para vitit 1913 ka qenë ndryshe. Liria e Shqipërisë erdhi, por me flijime të mëdha. Sot faktori shqiptar në Ballkan është kyç. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte një moment shumë i veçantë. Ne jemi një gjeneratë dëshmitare se i gjithë kombi shqiptar ka zgjedhur rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Unë do të angazhohem fuqishëm që edhe Kosova të gjejë hapin e saj drejt integrimit me fqinjët e saj. Integrimi është i pashmangshëm, por unë mendoj se të gjithë kemi mundësi të bëjmë më shumë për ta shkurtuar rrugën drejt BE-së”, deklaroi Haradinaj.

Top Channel