Statusi i humbur i vendit kandidat

10/12/2012 00:00

Brukseli pritet që të refuzojë të martën për të tretin vit radhazi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Ndonëse lajmi nuk është bërë ende zyrtar, tashmë nuk ka më pothuajse asnjë dyshim se kandidatura jonë do të rrëzohet përsëri.

Ishte pikërisht ky shans i radhës i humbur, ai i cili u vendos në qendër të vëmendjes së emisionit të përjavshëm të së hënës, “Shqip” i Rudina Xhungës.

Në studion e saj, për të debatuar mbi arsyet dhe të ardhmen e raportit të Tiranës me Brukselin, ishin të ftuar zëvendësministrja e Integrimit, Grida Duma, sekretari i Partisë Socialiste për rininë dhe emigracionin, Erion Veliaj dhe analistët Albert Rakipllari dhe Aleksandër Çipa.

“Fatkeqësisht, nuk presim ndonjë surprizë nesër. Shqipëria nuk do të përfitojë nga ky moment historik për të marrë statusin. Madje mund të mos jemi as në bisedime për statusin, pasi raporti i ambasadorëve është i qartë dhe nuk ka se çfarë të debatohet. Nuk janë zbatuar tre kushtet. U përmend çështja e zgjedhjeve dhe korrupsionit, por kushtëzimi i vetëm për këtë statusin ishin tre ligjet”, deklaroi znj. Duma.

Diametralisht i kundërt, qëndrimi i Erion Veliajt, i cili nuk lidhi këtë dështim me tre ligjet e vetme të mosmiratuara. “Sigurisht që presim të njëjtin gjë nga Brukseli, por sot jetojmë në një kohë të informacionit, kur hapësira për të spekuluar është bërë shumë e vogël. Unë kam një variant më të azhornuar se ai i Artës (korrespondentja e TCH në Bruksel, Arta TOZAJ), ku testi kryesor janë zgjedhjet 2013-s. A pritej? Po pritej. Nëse zgjedhjet nuk do të ishin të rëndësishme, datë për të riparë çështjen nuk do të ishte qershori 2013. Fjala zgjedhjet dhe test, me mospërmëndjen e tre kushteve, e rrëzon alibinë e qeverisë. Të jesh në timon dhe t’i kërkosh përgjegjësi udhëtarit, tregon se je një shofer i dështuar. Nuk ka qeveri në botë të thotë që nuk qeveris dot prej opozitës. Për ta përmbledhur, ne nuk do të marrim statusin dhe data tjetër që do të rishikohet çështja do të jetë qershori 2013, i cili koinçidon me zgjedhjet në Shqipëri”.

Në kundërpërgjigjen e saj, Duma e cilësoi qëndrimin e Veliajt si amoral. “Është një amoralitet. Në raport mund të lexojmë sa të duam për korrupsionin dhe drejtësinë, që janë përcaktues në shumë drejtime. Ajo që unë thashë, është që ka vetëm tre kushtëzime, nuk kanë dalë të thonë që janë dhe zgjedhjet kushti i katërt. Zgjedhjet janë pjesë, por qëndrimi që kënaqemi për Holandën e Gjermaninë që japin votën kundër, për një çështje që është për të gjithë ne, është i pakuptueshëm. Kur thua që unë si opozitë jam pasagjer, nuk kupton minimalen e rolit të opozitës në një shoqëri demokratike. Opozita duhet të votojë ato tre ligje. Është historik faktin që në ligjërimin e një komisioneri si Fyle, ia tha është mëkat që të humbet shansi për mosvotimin e ligjeve”, komentoi me tone të ashpra zëvendësministrja.

Duke analizuar faktet, Çipa theksoi se faji nuk i takon eksluzivisht të njëjtës palë, por të gjithë klasës politike shqiptare. “Në frazën e parë, zotëria dhe zonja që kanë dy qëndrime dy kundërta, nuk dhanë diferenca. Por, në klasën bipolare shqiptare, mungon “mea culpa” dhe ndjesa publike. Pikërisht këtu është problemi. Unë si qytetar jam i nervozuar nga kjo reçensë që i bëjnë çdo pohimi të një zyrtari nga Brukseli dhe nuk verifikohet autitenciteti i dokumentit zyrtar të Brukselit. Këtu e ka problemin gjithë makina, shteti dhe klasa politike. Në Shqipërinë e sotme ka dy aspekte. Unë ndaj të njëjtin mendim, kriteri politik na ka s’kualifikuar në mënyrë të vazhdueshme në Bruksel. Pse nuk ka një “mea culpa”, një ndryshim për këtë, një kapitull të ri. Në rastet kur është prodhuar konsensusi, ai ka qenë i përkoshëm, pa konstruktivizëm institucional. Nga ana tjetër, qeveria nuk mund të delegojë përgjegjësitë kur dështon një objektiv i përcaktuar, i vendosur në kalendarin e objektivave të Parlamentit Shqiptar”, tha Çipa.

Megjithatë, Rakipllari ndau një qëndrim lehtësisht të ndryshëm, duke rikthyer analizën e tij që në muajin qershor, kur u publikua raportprogresi i përvitshëm. “Në qershor kishim raportprogresin e përvitshëm. Komisioni hapte diskutimet, me kusht për dy ligjet dhe reformën parlamentare, duke dhënë kohë deri në dhjetor në samit. Nuk e di se çfarë përgjigje do jepej, mbase do refuzohej përsëri, por historiku i marrëdhënieve të BE-së, i procesit të integrimit të Shqipërisë, na ka dhënë të kuptojmë se përgjithësisht Europa i ka dhënë më shumë rëndësi kriterit politik. Shqipëria ka avancuar kur ka pasur konsensus dhe bashkëpunim politik. Unë mendoj se opozita kalkulon, që mund të përfitojë më tepër elektoratikisht pa statusin kandidat. Unë mendoj se opozita llogarit që do të fitojë më shumë vota pa statusin kandidat për Shqipërinë, duke i hedhur fajin për këtë qeverisë”.

Duke kundërshtuar këtë qëndrim të Rakipllarit, Veliaj shtoi: “Arsyeja përse disa ligje janë me 3/5, është se për disa ligje, palët duhet të negociojnë, ndryshe përse duhet të ishte opozita. Duhet të ketë një lloj kontrolli në një shtet demokratik dhe opozita ndihmon edhe organizmat e huaja, etj. Kjo ishte një mundësi fantastike për të negociuar dhe për të dhënë një shenjë, që kjo qeveri do t’i përmbahej një vendimi gjykate. Fundi i draftit final sot, thotë: “Ju kërkojmë që fokusi të jetë tek zgjedhjet, drejtësia dhe lufta kundër korrupsionit”.

Zv/ministrja e Integrimit hodhi dyshime mbi vërtetësinë e raportit të Transparency International që e rendiste vendin tonë të 113-in në rang global përsa i përket indeksit të korrupsionit. Ajo lidhi dyshimet me faktin që sipas saj, ky organizëm ndërkombëtar përfaqësohet në Shqipëri nga bashkëshortja e Kreshnik Spahiut.

Analisti Aleksandër Çipa akuzoi klasën politike shqiptare, sidomos dy polet protagoniste të saj në këto vite, se e shndërrojnë arsyetimin për mosmarrjen e statusit kandidat në një alibi duke i pasuar fajën njëra-tjetrës. Ndërsa zv/ministrja e Integrimit, Duma akuzoi opozitën se me mosvotimin e 3 ligjeve, mbajti një qendrim anti-europianist. Ajo tha se asnjë palë nuk doli e fituar nga ky refuzim, as cështja e Fierit nuk u zgjidh dhe as statusi nuk u mor.

Për analistin Rakipllari Shqipëria ka bërë hapa përpara. Ai tha se kushtëzimi i votës për marrjen e statusit me cështjen e Fierit, ishte anormal: “Praktikisht, Shqipëria ka avancuar. Shqipëria mund të ketë shumë probleme, por cështja është këto do zgjidheshin më mirë duke e marrë statusin kandidat, apo duke e humbur statusin kandidat? Opozita mund të ngrinte të gjithë pretendimet e saj nëse do kishte përmbushur detyrimet e veta. Të përdorësh cështjen e Fierit për të kushtëzuar integrimin, nuk është normale”.

Në përvjetorin 100-të të shtetit shqiptar, tezat nacionaliste u përforcuan. Por cfarë rrezikohet me to? Për sekretarin për Rininë në Partinë Socialiste, Erjon Veliaj, nisma e fundit e kryeministrit Berisha për dhënien e shtetësisë shqiptare për gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve, rrezikon spastrimin etnik: “Një nga gjërat që kemi patur konstante në politikë, ka qenë roli konstruktiv në rajon. Por dhënia e pashaportës shqiptare rrezikon spastrimin e trojeve shqiptare, e dyta është cështja e vizave, mendoj që do të na duhej një ok nga BE, e treta, meqë Berisha e ka propozuar në ‘92, pse s’e ka bërë që atëherë?”

Zv/ministrja e Integrimit mbrojti qendrimin e kryeministrit në këtë aspekt duke deklaruar se nuk përbën asnjë kërcënim për Europën dhe se kjo e fundit është e gatshme të pranojë shqiptarët me vlerat që ata kanë, pa qenë nevoja të tregohemi inferiorë.

Analisti Çipa citoi Arbën Xhaferrin kur thoshte se nacionalizmi shqiptar asnjëherë nuk e ka kapërcyer stadin e së drejtës së vet, për të paraqitur një të vërtetë që në Shqipëri ekziston pa kërcënuar askënd. Por, shtoi zoti Çipa, duhet patur kujdes nga nisma që merren në kontekstet elektorale që sipas tij janë të destinuara për të patur keqkuptime. “Edhe nisma e fundit e Berishës është e tillë”, tha ai.

Për Rakipllarin, festimet e fundit në vend, në këtë vit jubilar treguan një vetëdije të re kombëtare, ndaj nuk ka pse shqiptarët të ndjehen inferiorë, por duhe të kërkojnë maksimumin për të drejtat e tyre.
 

Top Channel