Lushnje, Rama takon biznesin e vogël

10/12/2012 19:30

Sikurse edhe në takimet e tjera me biznesin e vogël, në qytetin e Lushnjes kreu i PS Edi Rama u gjend përpara një sërë ankesash nga tregtarët e vegjël të cilët thonë se qytetarët vijnë e pyesin për çmimet duke u larguar pa blerë.

“Gjendja nuk është e mirë, kushtet flasin vetë. S’ke çfarë thua tjetër. Nuk e di çfarë do bëhet. Punojmë vetëm për bukë, se tjetri po vjen e po pyet sa është trahanaja, sa është veza. Ka gjysmë kile sheqer, pyet ai. Deri këtu ka vajtur. S’e merr dot kilen e sheqerit. Ose pyet për qesen e kripës. Lëre pastaj për këto të fëmijëve, që si merr dot”, është ankuar një tregtar.

Ndërsa një zonjë thotë se varfëria ka arritur deri në atë pikë sa njerëzit nuk arrijnë dot të marrin as bukën. “Punë i thënçin, se punë s’ka. Sa vjen edhe më shumë rëndohet gjendja. S’e di sesi do ecet, por populli është varfëruar shumë. S’arrin dot të marrë bukën. Pret të nesërmen që të ngelet buka e ftohtë, që të vijë të marrë një bukë me një çmim të arsyeshëm. Letra me borxhe, sa të duash. I kemi fletoret, arrijnë me miliona. Ata që kanë marrë edhe s’vijnë dot më, se nuk i shlyejnë dot. Po të hiqet taksa e biznesit të vogël është gjë shumë e mirë”, ka thënë zonja.

Nga Lushnja Rama për herë të parë ka shpjeguar një përllogaritje të PS-së që lidhet me borxhet që i kanë qytetarët nëpër dyqane ku blejnë me listë.

“Do ta heqim taksën e biznesit të vogël, patjetër. Ndërkohë që sipas një llogarie që kemi bërë ne, këto librat e borxheve shkojnë të paktën 150 milionë euro në gjithë dyqanet. Është një shifër e tmerrshme. Megjithatë, ne besojmë që duke e hequr taksën e biznesit të vogël dhe duke dhënë edhe disa mbështetje indirekte për biznesin e vogël, ai mund të fillojë të rigjenerohet”, ka deklaruar Rama.

Më tej Edi Rama ndaloi tek një treg frutash e perimesh. “Nuk ka lekë, shumë dobët. Keq e më keq. Ky vit është bërë zero fare”, është ankuar një tregtar.

“Na ka vënë borxhi para, nuk e dimë sesi do bëhet. E blejmë ne atje, mbetemi borxh, ata thonë merreni dhe ju se dhe ne andej në borxh kemi mbetur. E shkon kështu brez mbas brezi”, ka thënë një tjetër.

“Dobët shumë, nuk ka punë fare. Që në mëngjes kam dalë, që në orën 5 e gjysmë e deri tani, tani bëra sefte e mori njëri dy kile mandarina. Unë pensioniste jam dhe dal se kam djalin pa punë”, ka thënë një grua.

Përballë kësaj situate Rama tha se, ja pse nevoja mbi domosdoshmërinë për një Rilindje Shqiptare është imediate.

Top Channel