Varfëria ekstreme në Bulqizë

09/12/2012 00:00

“Herë kemi, herë s’kemi. Dhe ushqimet nuk janë edhe aq të mirë. Unë nuk mund të ha groshë përditë. I lutem shtetit, i bëj një thirrje të na ndihmojë, të vërë dorën në zemër sepse ne jemi kaq të varfër sa nuk kemi nga të shkojmë. Herë me bukë, herë pa bukë”.

Familja e kësaj vajze 9-vjeçare me tre vëllezërit dhe dy prindërit është në ekstremin e varfërisë. Ata jetojnë në qytetin e Bulqizës, vetëm 50 metra larg stoqeve të kromit ku shumëkush fiton miliona euro, por asgjë nuk shërben nga këto para që dalin nga nëntoka për të ushqyer dhe rritur këta fëmijë.

Kryefamiljari punon në një nga stoqet që shfrytezohen nga firmat private, por të ardhurat janë të pakta, aq sa nuk paguan dot prej vitesh faturat e energjisë dhe për këtë arsye prej një viti në këtë shtëpi nuk ka më drita.

“Jeta është e vështirë. Edhe drita nuk kemi më. Janë hequr dritat që në shkurt të 2012 sepse nuk kam lekë t’i paguaj. Për ushqime, marrim borxh, ndonjëherë ngelim pa ushqim fare”, thotë kryefamiljari Adem Spahiu.

Të dy prindërit kanë probleme shëndetësore, ndërsa nëna e këtyre fëmijëve thotë se edhe mielli që gatuan bukën është marrë hua.

“Kushtet janë të vështira edhe miellin e groshët i marrin hua”, thotë ajo.

Lista e borxheve të kësaj familje është bërë e gjatë megjithatë pronarët e dyqaneve ushqimore vazhdojnë t’i ndihmojnë.

Si kjo familje në Bulqizë ka shumë. Ata janë jashtëzakonisht të varfër dhe për shkak të problemeve shëndetësore të shkaktuara nga miniera.

Bulqiza është një minierë ari për ata që shfrytëzojnë kromin por askush, as pushteti lokal dhe as ai qendror nuk kanë organizuar ndonjë sistem që këto pasuri që dalin nga nëntoka t’i shërbejnë edhe jetesës së këtyre njerëzve që jetojnë këtu.

Top Channel