SHBA: Mbështetje Llallës për 21 Janarin

08/12/2012 00:00

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, përshëndeti zgjedhjen e Adriatik Llallës në krye të organit të akuzës dhe premtoi mbështetje të plotë të përpjekjeve të tij në kryerjen e detyrës.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara uron Z. Adriatik Llalla për emërimin e tij si Prokuror i Përgjithshëm. Do t’i japim mbështetje të plotë përpjekjeve të tij për të kryer në mënyrë agresive ndjekjen penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe shkeljet e zyrtarëve”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.

Gjithashtu, Ambasada Amerikane nxit atë që të ushtrojë përpjekje maksimale për të përmbyllur me sukses gjyqin e atyre që ishin përgjegjës për dhunën e dënueshme të 21 janarit 2011.

“Duke punuar me Z. Llalla, Ambasada e Shteteve të Bashkuara pret me kënaqësi të mbështet mbi sukseset dhe partneritetin konstruktiv që karakterizoi marrëdhënien tonë me paraardhësen e tij, Znj. Ina Rama”, përfundon deklarata.

Adritatik Llalla u zgjodh në krye të organit të akuzës pas votimit të së premtes me 75 vota pro dhe opozitën që respektoi vendimin e marrë më herët për të abstenuar.

Llalla, veç votave të mazhorancës mori edhe votat pro të Islamit e Dules, ndërsa opozita zgjodhi abstenimin me argumentimin se sipas saj, po shkelet Kushtetuta.

Në një prononcim për Top Channel të pak ditëve më parë, deputeti socialist dhe sekretari për Cështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, akuzoi presidentin Nishani për shkelje të Kushtetutës duke krijuar një rast të paprecedent të fuqisë prapavepruese të saj. 

Një ditë më parë zoti Llalla kaloi votimin në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku u zhvillua edhe një seancë dëgjimore për të. Në fjalën e tij Llalla shpalli si objektiv të punës së tij luftën kundër korrupsionit mes prokurorëve, për të cilët tha se ishte në dijeni dhe njohës i tyre, duke qenë se vjen nga radhët e prokurorëve.

Adriatik Llalla më parë ka mbajtur postin e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Ai do të udhëheqë organin e akuzës së Shqipërisë për pesë vitet e ardhshme. 
 

Top Channel