Thaçi-Haradinaj shkëmbejnë kredencialet

07/12/2012 00:00

Për gati një orë ka zgjatur takimi mes kreut të PDK, Hashim Thaçi dhe
atij të AAK-së, Ramush Haradinaj. Por vetë protagonistët kanë siguruar
pas takimit se nuk folën për cështjen e koalicionit qeveritar.

Thaçi e
Haradinaj deklaruan se ranë dakord për bashkëpunim në temat aktuale që
kanë të bëjnë me dialogun Prishtinë – Beograd, për reformën elektorale
dhe për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian.

Sidoqoftë, në të takim të parë zyrtar si kryetarë partish, Thaçi i dhuroi Haradinajt librin e pavarësisë, ndërkaq, Haradinaj ia dhuroi atij një libër me veshje popullore.

Pas takimit, kryetari i PDK-së, dhe njëherësh kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk dha përgjigje nëse është i gatshëm që postin e kryeministrit t’ia jap AAK-së në rast të një koalicioni të mundshëm.

“Vullneti ynë për bashkëpunim është i dy anshëm, që për synim primar ka forcimin e shtetit tonë, do të jemi edhe më të konsoliduar edhe më të plotë në përgjegjësitë e përbashkëta që do t’i kemi me rikthimin e Haradinajt. AAK-ja ka marrë rolin e përgjegjshëm shtetëror, që para së gjitha ka interesat të cilat ndërlidhen drejtpërdrejt me perspektivën euroatlantike më Republikën e Kosovë”, u shpreh Thaçi.

Partia e Ramush Haradinajt ngul këmbë që lideri i saj të bëhet Kryeministër. Mirëpo kur është pyetur nëse këtë ambicie ia ka shfaqur kryeministrit aktual Hashim Thaçi, Haradinaj tha se tema e koalicioni nuk është trajtuar në këtë takim.

“Kemi thënë në media deri tani se ofrohemi të marrim përgjegjësitë, edhe përgjegjësitë e para në qeverisje. Gjithashtu, marrja e përgjegjësive është një proces. Ne sot kemi filluar me disa tema, në të ardhmen mund të vazhdojmë me tema të tjera. Kjo është e vërteta. Nuk e kemi trajtuar temën për të cilën po flasim”, u shpreh Haradinaj.

Në anën tjetër, Haradinaj, i pyetur nëse do të bëjë koalicion me PDK-në edhe ku do të bënin pjesë ish-pjestarët e SHIK-ut, nuk ka dashur të japë deklaratë.

Gjatë ditës Haradinaj është takuar edhe me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, me të cilin u pajtua për të bashkëpunuar në proçese që janë në interes të Kosovës.

“Biseduam për çështjet aktuale që rëndojnë situatën në Kosovë, për reformat që duhet të realizojmë, për integrimin evropian dhe projekte të tjera që duhet të realizojmë bashkarisht. Shprehëm pikëpamjet dhe qëndrimin tonë që të punojmë së bashku dhe të kontribuojmë për zhvillimin e vendit”, deklaroi Mustafa.

“Ne kemi një shkallë besimi të ndërsjelltë që është zhvilluar gjatë së kaluarës, si dhe një tjetër për qeverisje të përbashkët. Pra, kemi shumë përvoja të bashkëpunimit, të cilat shpresoj se do të na ndihmojnë në rrugën tonë për të ndihmuar qytetarët e vendit”, tha Haradinaj nga ana tjetër.

Mustafa u shpreh edhe një herë se, me shpalljen e pafajssisë për Haradinajn dhe bashkëluftëtarëve të tij ka fituar lufta e drejtë çlirimtare e Kosovës. 

Top Channel