Skandali me reklamën shtetërore

07/12/2012 00:00

Opozita ka akuzuar qeverinë për shpërdorimin të fondeve publike me reklamat shtetërore. Deputeti socialist Taulant Balla denoncoi një rast konkret ku Ministria e Mbrojtjes ka dhënë me vendim të posaçëm një shumë të konsiderueshme për një media, sipas tij, pranë saj.

“Kam këtu një faturë të paguar dje. Është një faturë që Reparti 6600 në Ministrinë e Mbrojtjes, paguan furnitorin ‘Media 66’ me pronar Aleksandër Frangaj me 50 milion lekë. Nuk e di si një repart ushtarak paguan një kompani që merret me promocion mediatik, 50 milion lekë?!”, deklaroi deputeti Balla.

Edhe deputeti tjetër socialist Eduart Shalsi akuzoi se qeveria shkurton fonde për shtresat në nevojë ndërkohë që harxhon qindra-mijë euro për makiazh politik.

“Nuk kanë para, thonë, për të nxitur punësimin! Nuk kanë para për shtresat në nevojë! Ndërkohë na paskan para për t’i dhënë ‘fahrinjve’ dhe ‘frangajve’ të tyre për të mbushur shqiptarët me gënjeshtra përditë!”, akuzoi deputeti tjetër socialist, Eduart Shalsi.

Denoncimet për shpërndarje preferenciale të reklamave shtetërore nga qeveria shqiptare ka patur edhe nga OSBE. Përfaqësuesja e këtij institucioni për median i ka kërkuar zyrtarisht qeverisë një proces me transparent në shpërndarjen e tyre.  

Top Channel