Realiteti i dhimbshëm në Paskuqan

07/12/2012 19:35

Teksa deputetët janë përfshirë në debate të ashpra në Kuvendin e Shqipërisë për buxhetin e vitit të ardhshëm, kreu i opozitës Edi Rama ka preferuar të shikojë situatën ekonomike dhe sociale të familjeve shqiptare.

Shumë afër kryeqytetit ndodhet fshati Paskuqan, ku Rama vizitoi familjen Alla në të cilën jetojnë katër fëmije të mitur jetimë, gjyshja 90 vjeç, si dhe nëna e tyre e sëmurë, pa mundësi kurimi.

“Jam 90 vjeçe, pension s’kam. Kemi marrë fund, jemi borxhli. Nusja është e sëmurë. Si jemi ne për atë Zot! Duke vuajtur. Kalamajtë janë 4, jo një. Çfarë të bëjmë?”, u shpreh e moshuara.

“Unë jam e sëmurë për vete, me ilaçe për zemrën. Më thanë për aparat doktorët, shko tek njëri, shko tek një tjetër. S’kisha mundësi të blija 3.000 euro një aparat për zemrën. Ilaçet s’i kam marrë, i ndërpreva. A të merrja për gocën e vogël apo për vete. S’kisha me çfarë t’i merrja. Më pyetën çfarë ke përgatitur për drekë. Thashë, ç’të përgatis?”, tha më pas nëna e fëmijëve.

Për kreun e Partisë Socialiste kjo situatë e rëndë ekonomike dhe sociale, e përshkruar prej tij si barbare, është akoma më e pafalshme kur bëhet fjale për një komunë vetëm 3 minuta larg nga Tirana.

“Është një situatë shumë e rëndë ekonomike dhe sociale. Këtu faktikisht jemi 3 minuta e gjysmë nga Tirana dhe ka një papunësi ekstreme, varfëri ekstreme, mungesë shprese. Ndërkohë që ndihmë ekonomike aq sa jepet është kthyer në vegël skllavërimi politik dhe ndërkohë që gjëja e parë që të vret kur vjen është ç’bëhet me gjithë këta fëmijë që lindin e rriten në këto territore, me këtë varfëri dhe me këtë nivel edhe të shkollës edhe të kujdesit për ta në shkollë. Për të mos folur për çerdhe dhe për kopshte pasi nuk bëhet fjalë”, deklaroi Rama.

Varfëria nuk është e vetmja e keqe e madhe me të cilën përballen banorët e Paskuqanit, pasi ata ndeshen edhe me mungesën e energjisë elektrike dhe të ujit të pijshëm.

“Ne duam së pari të bëjmë çmos për rritjen e mundësive për punësim. Së dyti, të bëjmë çmos që fëmijëve të mos u mungojë mundësia për arsimim. Muhamedi thoshte: ‘boja e penës së nxënësve është më e shenjtë se gjaku i martirëve’. Ne duam të bëjmë çmos që kaq shumë shqiptarë, janë 1 milion e kusur që janë të papunë dhe që janë të pasiguruar, të mos vuajnë siç vuan zonja dhe s’merr as ilaçet tanimë sepse s’ka mundësi për një sëmundje që duhet ta kurojë rregullisht. Por që shteti të kujdeset për të gjithë”, theksoi Rama.

Top Channel