Kuvend, votohet buxheti i vitit 2013

07/12/2012 20:25

Parlamenti voti mbrëmjen e së premtes me 74 vota të maxhorancës buxhetin e shtetit për vitin 2013. Kryeministri Sali berisha e cilësoi atë draftin e mirëqënies së qytetarëve dhe sipas tij bazën e mandatit të tretë qeverisës të demokratëve. Nga ana e saj, opozita votoi kundër.

“Buxheti për vitin 2013 është më i madhi në historinë e Shqipërisë, që arrin vlerën rreth 410 miliardë lekëve dhe ka si synim më madhor rritjen e mirëqenies suaj, të dashur qytetarë shqiptarë, rritjen duke sjellë të ardhura direkt në xhepat e portofolet tuaja për 820 mijë familje shqiptare, duke ndikuar në mënyrë thelbësore në shkollimin e fëmijëve tuaj, shërbimet shëndetësore, rrugë, ujësjellësa dhe po ashtu ka si objektiv madhor investimet vendimtare për Shqipërinë, si vend i zhvilluar brenda vitit 2017”, deklaroi Berisha.

“Megalomania është tipar i të vegjëlve. Vendeve të vogla, njerëzve të vegjël. Buxheti më i madh i historisë nuk gjen dot 500 mijë lekë për të ndërtuar murin mbajtës të një ure që lidh një komune me spitalet”, replikoi deputetja e PS, Mimi Kodheli.

Kriza ekonomike dhe pasojat e saj mbi shtresat e varfëra ka nxjerrë në qendër të debatit politikat sociale dhe ato të taksave, ku palët kanë ndarjet më të mëdha.

“Fatura sociale, atë për të cilën ju digjet shpirti juve dhe flisni, ka qenë 11% e GDP-së, ndërsa ju e kishit 6.4%. Unë nuk shpreh ndonjë krenari të madhe për këtë buxhet që në 38% të tij është social, por është i detyrueshëm duke parë krizën ekonomike”, deklaroi ministri i Financave Ridvan Bode.

“Përse ju zoti Berisha dhe ju zonja Topalli, që merrni 22 deri në 35 milionë lekë rroga në vit paguani më pak, ndërsa mësuesit, policët, infermierët, etj paguajnë dy ose tre herë më shumë? Edhe monopolistët paguajnë më pak, ndërsa tregtarët e vegjël më shumë. Kjo është taska progresiste”, kundërshtoi deputeti Erjon Braçe.

“Ne duam të mbajmë gjallë atë që nxisin biznesin, kjo është politika jonë”, argumentoi sërish ministri i Financave Rdivan Bode.

Buxheti i vitit elektoral 2013 thyen për herë të parë  kufirin prej 60 për qind të borxhit publik dhe e lë atë pa tavan.

“Nuk kanë para për të nxitur punësimin, nuk ka para për shtresat në nevojë, ndërkohë që kanë para për t’i dhënë Frangajve dhe Klanit të tyre para për të mbushur shqiptarët çdo ditë e më shumë me gënjeshtra”, tha deputeti Eduard Shalsi.

“Kjo mazhorancë kernohet me faktin se borxhi publik ka lëvizur me 2 për qind, në kuotat 60-62 për qind, dhe kemi ruajtur shpenzimet më të mëdha kapitale”, tha më tej Berisha në fjalën e tij.

Blushi: Shmangni krizën me teza nacionaliste. Bode: Rritja e borxhit u diktua

Në fjalën përmbyllëse të seancës maratonë të buxhetit, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se qeveria u detyrua të rriste borxhin nga kushtet e vështira ekonomike, të cilat diktojnë ndërhyrjen e shtetit.

“Sepse nga njëra anë kemi një rënie të financimeve dhe kreditimeve, të sistemit tonë bankar mbi ekonominë dhe bizneset, dhe nga ana tjetër kemi një tronditje të konsumit. Është në misionin dhe detyrën e qeverisë si dhe të buxhetit, që të prodhojë stimuj fiskalë. Investimet publike ne i programojmë në nivelin 5%, çka përbën orientimin e institucioneve ndërkombëtare financiare për të mundësuar një rritje ekonomike në parametrat më optimale, pra në rritje”, tha Bode.

Por, deputeti socialist Ben Blushi i kujton qeverisë një rregull, që, sipas tij, zbatojnë gjithë qeveritë demokratike në botë.

“E dini që në 23 janë zgjedhjet. Nuk ka qeveri që merr borxh gjashtë muaj para zgjedhjeve. Ka një rregull në shoqëritë normale, ku në 6 muajt e fundit qeveritë mbajnë rendin, paguajnë rrogat, mbledhin taksat dhe garantojnë zgjedhjet. Ju po merrni borxh dhe po bëni privatizime të rëndësishme, sepse do ikni. Ikni me nder, pasi nuk ka rrugë tjetër, që të ruani nderin, ikni pa i lënë këtë faturë të madhe shoqërisë shqiptare dhe vetes tuaj”, tha Blushi.

Zoti Blushi tha se qeveria po tenton t’i shmanget krizës ekonomike, duke hedhur në publik tezën e nacionalizmit, ku dështimet e saj, sipas tij, janë edhe më të mëdha.

“Po a ka qeveri sot në Europë, e cila shkombëtarizon ekonominë e vet? Më thoni një aset shqiptar, që është privatizuar nga një firmë shqiptare. Po e shkombëtarizoni, po e denacionalizoni ekonominë kombëtare. Gjithçka po i shitet ose miqve të qeverisë, ose të huajve, dhe fatkeqësisht çdo privatizim që keni bërë është i dështuar. Rasti i fundit është ai i CEZ-it. Edhe flisni për nacionalizmin, i cili në radhë të parë është dashuri për vendin”, shtoi Blushi.

Por, ministri i Financave thotë se reformat e mbajtën ekonominë shqiptare larg efekteve të krizës, me të cilat po përballen vendet përreth.

“Edhe pse e përgjysmuam, rritja ekonomike shqiptare ka influencuar pozitivisht, duke mundësuar që në treg, vitet e fundit, niveli i mirëqënies së përgjithshme ekonomike të rritet me 13,4% sipas FMN-së, ndërkohë që vendet e rajonit kanë mundësuar vetëm një rritje ekonomike prej 0,8% në tri vite. Investimet e huaja direkte janë rritur përgjatë periudhës së krizës globale, duke arritur në 8% të PBB-së nga 3%, që ishin në vitin 2004”, tha Bode.

Qeveria parashikon të mbajë investimet publike në masën 5% të prodhimit kombëtar, vitin e ardhshëm, ndërkohë që është zotuar për rritje të pagave deri në 5%.

“Ky është buxheti vendimtar, që do të mundësojë pjesët e programit të qeverisë, në fushën e infrastrukturës, reformave strukturore, arsimit e shëndetësisë, rritjes së pagave e pensioneve dhe të rritjes së mirëqënies së përgjithshme shoqërore, t’i bëjë realitet”, tha Bode.

“Po a jeni krenar ju për mënyrën se si keni qeverisur këto tetë vjet? A ka ndonjë shqiptar, që e keni bërë krenar në këto tetë vjet. Nuk po ju krahasoj me gjermanin, francezin apo japonezin, siç bën kryeministri, por po ju krahasoj me rajonin. Jemi të fundit në korrupsion, të fundit në taksa, për nivelin e borxhit, si dhe të fundit në arsim”, shtoi Blushi.

FRD: Buxheti më i dobët që nga 1997

Fryma e Re Demokratike kritikoi buxhetin e qeverisë për vitin 2013 duke e cilësuar atë si buxheti më i dobët që nga vitit 1997 dhe që zhyt shqiptarët në borxhe për shkak të interesave elektorale të qeverisë.

Kritikat mbërritën nga qyteti i Fushë-Krujës ku FRD themeloi degën e saj. Përsa i përket krizës ekonomike dhe buxhetit 2013 kreu i kësaj force politike, Bamir Topi theksoi se kryeministri është një Don Kishot që nuk pranon krizën ekonomike që po kalon vendi, ndërkohë që të gjithë liderët e perëndimit e pranojnë një gjë të tillë. Gjithashtu, sipas Topit, raportet e Bankës Botërore tregojnë se 35 % e popullsisë marrin ushqimet me lista, ndërsa Berisha e rendit Shqipërinë pas Gjermanisë për zhvillimin ekonomik.

Krerët e FRD-së falenderuan qytetarët për mbështetjen e tyre dhe shprehën besimin se forca e tyre do të marrë pjesë në vendimmarrje pas zgjedhjeve të 2013 me mision dhe program për gjithë qytetarët e Shqipërisë.

Top Channel