Tirana anulon takimin PE-Shqipëri

06/12/2012 00:00

Parlamenti Europian është lajmëruar në momentet e fundit nga Kuvendi i Shqipërisë, për anulimin dhe shtyrjen për një kohë tjetër, të Komitetit të 6-të ndërparlamentar PE-Shqipëri, i cili ishte parashikuar të mbahej në Tiranë më 19 dhe 20 dhjetor.

Zyrtarët e PE-së janë njoftuar nga pala shqiptare vetëm në ditën, kur në Bruksel ishte zhvilluar mbledhja përgatitore mbi disa vështirësi në Tiranë, për organizimin e këtij takimi në datat e paracaktuara me kohë.

Të njëjtët zyrtarë nga Parlamenti Europian pohuan për TCH se arsyet dhe detajet e këtij anulimi duhet të kërkohen në Tiranë, pasi vetë PE kishte marrë të gjitha masat dhe kishte përgatitur një delegacion të rëndësishëm, që parashikohej të merrte pjesë në këtë takim.

Mësohet se Kuvendi shqiptar dhe Parlamenti Europian do të vijojnë kontaktet për përcaktimin e një date tjetër, mundësisht për në pranverën e ardhshme, për realizimin e takimit. Kjo është hera e dytë, që ndërrohet data e mbajtjes së këtij Komiteti ndërparlamentar, i cili fillimisht ishte parashikuar të mbahej që në muajin tetor.

Kalendari i takimit të 19 dhe 20 dhjetorit në Tiranë, mes eurodeputetëve
dhe parlamentarëve shqiptarë, përmbante diskutimin e disa temave si lufta
ndaj krimit dhe korrupsionit, liria e medias, apo përgatitja e
zgjedhjeve të radhës. Në një intervistë për TCH, Kreu i delegacionit të
PEsë për Ballkanin, Eduard Kukan, shpjegoi axhendën dhe pritshmëritë e
tij mbi takimin e radhës.

TCH : Cilat janë mesazhet e temat e takimit të radhës.

Eduard Kukan, Kreu i delegacionit të PE për Ballkanin : « Mesazhet janë që ky takim duhet të përdoret për diskutime të thella mbi çështjet aktuale që lidhen me përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë në rrugën europiane. Takimi do të mbahet pas konkluzioneve të Këshilit Europian ku do të bëhet e qartë se çfarë teksti do t’i drejtohet Shqipërisë dhe zhvillimit të ardhshëm të saj. Mendoj se do të jetë me të vërtetë një ide shumë e mirë që të konsiderohet se cila është rruga më efikase për të dëshmuar se Shqipëria është seriozisht e interesuar për progres në axhendën europiane.

Do të diskutohen sigurisht të gjitha çështjet, që nga situata e brendshme politike, cilësia e dialogut politik, situata në parlament në lidhje me miratimin e ligjeve të nevojshme, situata ekonomike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e medias. Të gjitha këto çështje që përfshihen si zakonisht në axhendën e këtij takimi ».

TCH : Një prej pikave të kalendarit është edhe diskutimi për përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme.

Eduard Kukan : «  Përgatitja e zgjedhjeve është shumë e rëndësishme. Mënyra se si do të mbahen zgjedhjet është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë. Për të parandaluar pyetjen tuaj të radhës, unë mund t’ju them se nuk përmendet në dokumentet e Bashkimit Europian, Këshillit apo Komisionit, se zgjedhjet janë një kusht për zhvillimin e së ardhmes të Shqipërisë, pra fjala kusht. Por, sigurisht që mënyra se si ato do të zhvillohen, si do të numërohen, si do të shpallen rezultatet e nëse do të kontestohen apo jo, do të jetë shumë e rëndësishme për mënyrën sesi institucionet e BEsë do ta shohin situatën në Shqipëri. Pra gjithkush pret që zgjedhjet do të jenë të ndershme, demokratike dhe se do të parandalojnë përsëritjen e situatës në vend pas zgjedhjeve të vitit 2009.

Është shumë e rëndësishme për vendin. Parlamenti dhe politikanët tuaj patën mjaftueshëm kohë për të përgatitur legjislacionin dhe të gjitha gjërat e nevojshme. Tani dëgjoj se ka ende disa probleme teknike në lidhje me votimin elektronik por mendoj se dinë se si ta bëjnë dhe se si ta rregullojnë. Dhe zgjedhjet, sërish, do të jenë një test shumë i rëndësishëm i ambicieve të Shqipërisë për të ardhmen ».

Përgatiti: Arta TOZAJ, Bruksel

Top Channel