Në Bruksel u zhvillua takimi përgaditor për Komitetin e gjashtë ndërparlamentar të Asociim-Stabilizimit PE-Shqipëri, që pritet të mbahet me 19 dhe 20 dhjetor në Tiranë.

Përveç kritereve të plotësuara, bazuar në progres-raportin e 10 Tetorit, u nënvizuan edhe fushat sfiduese për vendin.

”Shumë arritje të rëndësishme në këtë periudhë u identifikuan nga Komisioni Europian në raportin vjetor të progresit për Shqipërinë, por ne jemi të vetëdijshëm se mbetet ende më shumë për t’u bërë. Reformat në gjyqësor, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë reformat më sfiduese”, deklaroi Mimoza Halimi, ambasadore e Shqipërisë pranë BE-së.

Nga ana e tij, Vassilis Maragos, shef i njësisë për Shqipërinë në drejtorinë e zgjerimit të KE-se, u shpreh: “Një element shumë i rëndësishëm që do të merret parasysh është vazhdimi i përpjekjeve dhe rezultatet e arritura nga Shqipëria në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në fushën e përgjithshme të Shtetit të së Drejtës. Një numër arritjesh konkrete janë bërë në këtë fushë, por ka ende shumë për t’u bërë, veçanërisht në lidhje me hetimet proaktive dhe dënimet”.

Situata ekonomike u diskutua gjithashtu bazuar në të dhënat e raport-progresit të Komisionit.  

Në dokumentet e takimit përgaditor përfshihej dhe një letër ankese nga Federata Sindikale e Punëtorëve Industriale për presionet politike dhe financiare të qeverisë shqipëtare ndaj kompanisë “CEZ Shpërndarje”.

Për ambasadoren Halimi, “ekonomia shqiptare ka përjetuar vetëm një ulje modeste të rritjes ekonomike, nga 7,5% në vitin 2008 në 3.1% në vitin 2009, dhe ka ruajtur gjerësisht stabilitetin bankar, falë politikave të kohës, siç janë është klima mikpritëse dhe miqësore e biznesit, politika e shëndoshë e monitorimit dhe veprimet e kujdesshme makro-ekonomike».

Vassilis Maragos, shef i njësisë për Shqipërinë në drejtorinë e zgjerimit të KE, tregoi një pasqyrë tjetër të situatës: “Në anën tjetër ka një numër elementësh që duhen marrë parasysh. Kryesisht ato që kanë të bëjnë me situatën makro-ekonomike, me borxhin publik, por gjithashtu me defiçitin, të cilët duhet të ruhen nën kontroll, por edhe reformat strukturore, reformat administrative dhe përmirësimi i klimës së biznesit”.

Siç ndodh rëndom, me interes gjithnjë e më të ulët në takimet e Parlamentit për Shqipërinë, në mbledhjen përgatitore përveç drejtuesit të seancës Kukan, u shfaq nga fundi i takimit, vetëm një eurodeputete, e cila u interesua për zgjedhjet dhe për korrupsionin në vend bazuar në të dhënat e fundit të “Transparency International”.

Pergatiti: Arta TOZAJ, Bruksel

Top Channel