Rama: Dëftesa negative e 100-vjetorit

05/12/2012 00:00

“Në ditë tejet e hidhur për Shqipërinë, pasi vendi ynë ka thyer rekordin
më negativ të korrupsionit mes të gjithë vendeve të Europës, duke
marrë dëftesën më të keqe të mundëshme në 100 vjetorin e saj”. Kështu e
ka komentuar kreu opozitës Edi Rama raportin e ‘Transparency
International’.

“Kjo është dhurata më kuptimplotë që qeveria jonë u bën shqiptarëve kudo ku ndodhen në këtë 100 vjetor. Në 100 vjet shtet sot shqiptarët kanë zyrtarisht qeverinë e tyre më të korruptuar dhe zyrtarisht Shqipëria e 100 vjetorit ka rënë në zonën më të errët të batakut të korrupsionit botëror.Në vetëm një vit kemi rënë falë qeverisë dhe keqqeverisjes 15 vende më poshtë dhe jemi futur mes Etiopisë e Nigerisë, simbole të korrupsionit botëror.Shteti më i ri në botë, Kosova, ka përparuar krahasuar me një vit më parë dhe sot është ngjitur mbi Shqipërinë. Degdisja e vendit tonë matanë kufijve të kontinentit europian për nga niveli i korrupsionit dhe përtej çdo shifre dhe indikatori të pranueshëm të korrupsionit në këtë kontinent, faktikisht e dërrmon edhe vetë kandidaturën e Shqipërisë për Bashkimin Europian”, tha Rama.

Këtë nivel korrupsioni tashmë i certifikuar nga ‘Transparency International’ sipas Edi Ramës reflektohet edhe në buxhetin e vitit 2013 duke e quajtur një kërcënim për sigurinë kombëtare, nënvleftësim të vlerës së lekut, vlerës së pagave e pensioneve, përfshi  rritjen e interesave të kredive. Rama theksoi se ky nivel korrupsioni po cënon çdo shpresë, prandaj apeloi që të gjithë shqiptarët të bëhen bashkë për ta kthyer 2013-tën vitin e ndryshimit të madh.

“Ja pra ku jemi një tjetër taksim i ri, një tjetër taksim në zinxhirin e taksës së korrupsionit. E asaj takse korrupsioni që e paguajnë të gjithë shqiptarët dhe faturën e merr Shqipëria në tabelën e transparencës ndërkombëtare.Ne jemi këtu për të bërë çdo gjë që 2013 të jetë viti i ndryshimit. Unë jam këtu për të bërë çdo gjë, gjithçka kam në dorë që 2013 të jetë viti i ndryshimit. Të gjithë bashkë duhet të bëjmë çdo gjë që 2013 të jetë viti i ndryshimit dhe që Shqipëria të ringrihet dhe të rilindë”, tha Rama.

Top Channel