Pse nuk realizohet nënshtetësia

05/12/2012 19:50

Dhënia e shtetësisë pa kusht nga Shqipëria për çdo shqiptar kudo që ai ndodhet, si thelbi i projektligjit që kreu i qeverisë Sali Berisha lançoi një ditë më parë, bie ndesh me strategjinë kombëtare dhe kthen pas proçeset integruese.

Kërcënimi i parë është ai i proçesit të liberalizimit të vizave, thotë Ditmir Bushati, kryetar i Komisionit të Integrimit, ndërsa ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj shton se BE nuk mirëpret eksportimin e nacionalizmave drejt Brukselit.

“Çështjet e shtetësisë dhe ligjit për shtetësinë, ajo e dhënies së pasaportave kanë kaluar nën një mbikëqyrje të imët nga BE para se shqiptarët të udhëtonin pa viza në zonën Schengen. Që do të thotë se çdo shmangie nga kontrata ekzistuese duhet të marrë miratimin e BE-së. Nëse Shqipëria vepron ndryshe, kjo mund të rrezikojë lirinë e vizave”, deklaron Bushati.

“BE ka probleme nacionaliste me vende si Hungaria dhe duke qenë se nuk e përzë dot, nuk dëshiron të afrojë vende të tjera që kanë probleme të kësaj natyre”, thotë Mustafaj nga ana tjetër.

Përpos kësaj pasoje të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë, Mustafaj e Bushati thonë se ky projekt është edhe antikombëtar, pasi do të shkaktojë spastrim etnik të zonave të banuara nga shqiptarët.

Mustafaj shton se këtë nuk e ka bërë as Greqia e as Maqedonia fqinje me minoritetet e tyre në Shqipëri, jo se janë më pak nacionalistë se ne, por sepse sipas tij ky nuk është një akt i zgjuar kombëtar.

“Ta kthejmë këtë në një valle të hapur më duket kundër interesave kombëtare. Në zona të banuara me shqiptarë si Presheva, Plava dhe Gucia mund të zbrazen më shumë. Nëse zbatohet një projekt i tillë do t’i shërbente spastrimit etnik”, vlerëson Mustafaj.

“Imagjinoni nëse Greqia ose Serbia do të hiqnin nacionalitetin e dyfishtë, çdo ndodhë me shqiptarët e Preshevës dhe Maqedonisë? Do ishin kolaterali i kësaj nisme”, nënvizon Bushati.

Nëse projektligji nuk ka vlerë për faktorin shqiptar, madje është kundër tyre, kush është interesi i një nisme të tillë nga qeveria shqiptare?

“Kemi një nacionalizëm anakronik, por që është një kartë e djegur sepse Berisha e ka provuar edhe më parë por nuk ka pasur sukses. Kjo është një tentativë për të shkëputur vëmendjen nga problemet e thella që ka Shqipëria sot”, shprehet Bushati.

“Përse e bën Berisha këtë, kjo mbetet në kuadrin e hamendjeve. Por ky është një projekt tërësisht i pavlerë përsa u përket shqiptarëve”, thotë më tej Mustafaj.

Kryetari i komisionit të integrimit dhe ish-ministri i Jashtëm thonë se sfida e shqiptarëve sot është të bëjnë shtetet e tyre sa më demokratike dhe bashkëjetesën e shqiptarëve në rajon sa më të barabartë, dhe të bashkohen nën projektin e integrimit në BE.

Top Channel