Prifti: Do votoj Adriatik Llallën

05/12/2012 00:00

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti deklaron se do të votojë pro emërimit të kryeprokurorit të ri Adriatik Llalla.

Në një deklaratë shpërndarë mediave në orët e vona të mbrëmjes së të martës, Prifti shkruan se: “sapo jam ndarë nga një takim me deputetin dhe mikun tim Tom Doshi, kemi diskutuar për votën ndaj prokurorit të sapo dekretuar. Kam vendosur të votoj Adriatik Llallën për Prokuror të Përgjithshëm. Jam një opozitar i vendosur deri në fund dhe besoj se shteti ligjor dhe integrimi europian ka nevojë për kontribut dhe jo sabotim”.

Po të martën, socialistët deklaruan abstenimin e tyre në votimin për kryeprokurorin e ri. Sekretari për Çështjet Ligjore në PS dhe deputeti Fatmir Xhafaj tha se opozita është kundër procedurës së ndjekur për zgjedhjen e prokurorit të ri, jo kundër emrit të propozuar nga presidentit Nishani.

Sipas socialistëve, prokurori i ri i vendit duhet të zgjidhet në muajin maj. Xhafaj akuzoi Presidentin Nishani se me emërimin e tij, ka shkelur Kushtetutën.

“Presidenti thyen një rekord në shkelje kushtetuese dhe i jep fuqi prapavepruese normës kushtetuese. Ky është një rast i pashembullt. Mandati i Ina Ramës, më së paku mbaron në maj dhe këtu ka vend për një gjykim kushtetues, e drejtë që mund ta ushtrojë vetë Prokurorja. Këtë nuk mund ta bëjë grupi parlamentar socialist apo një grup deputetësh pasi Gjykata Kushtetuese, siç jeni në dijeni, me vendim të saj të mëparshëm ka kufizuar të drejtën e ankimit për raste të këtij lloji”, deklaroi Xhafaj.

Tom Doshi del kundër PS: Do votoj Adriatik Llallën si kryeprokuror

PS ka deklaruar ditën e djeshme se do të abstenojë në votimin për kryeprokurorin e ri, Adriatik Llalla, të dekretuar dy ditë më parë nga ana e Presidentit të Republikës, por ndryshe nga grupi i tij parlamentar, deputeti i PS, Tom Doshi ka deklaruar se do të japë votën pro për Adriatik Llallën në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.

“Kam vendosur të votojë Adriatik Llallën për Prokuror të Përgjithshëm, sepse kam besim që është një person me integritet. Ai më ka hetuar dy herë rresht, duke kontrolluar çdo pasuri dhe pronë timen, deri në Australi. Ka zbatuar ligjin me korrektesë. Kam besim se të njëjtën korrektësi do të ketë edhe në drejtimin e organit të akuzës, dhe se do të jetë prokuror i gjithë shqiptarëve. I kam bërë thirrje PS ta votojë, derisa e kemi votuar ne në krye të ILDKP”, thekson në deklaratën e tij deputeti i PS, Tom Doshi.

Adriatik Llallën, kreu aktual i ILDKP, u dekretua si Prokuror të Përgjithshëm ditën hënë nga ana e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Top Channel