PD: Korrupsioni, faji i Topit dhe Spahiut

05/12/2012 00:00

Partia Demokratike thekson se percektimi i shoqërise lidhet me shkallën e
lartë të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, kohë kur këtë sistem e
drejtonte padroni i zyrës së ‘Transparency International’ në Tiranë dhe
padroni i tij në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

“Problemi akut me indeksin e perceptimit të korrupsionit është gjendja në qeverisjen e gjyqësorit, gjatë periudhës në monitorim. Perceptimi dhe dëshmi të shumta publike flasin për vende pune dhe karriere për gjyqtarë, të cilët janë shitur me çmime prej 200 mijë eurosh, në kohën kur drejtësine e qeveriste padroni i ‘Transparency Internacional Albania’ dhe padroni i tij në krye të KLD-së. Ky indeks korrupsioni në gjyqësor nuk njollos dot punën e Qeverisë shqiptare në luftën kundër korrupsionit dhe në qeverisjen e vendit. Nuk njollos dot arritjet tona të admirueshme dhe çifti Spahiu që servir shifrat për indeksin në fjalë nuk i mashtron dot shqiptarët dhe nuk na shpërqendron dot asnjë grimë nga beteja jonë në luftën kundër korrupsionit”, tha deputeti demokrat Gert Bodani.

Spahiu: Berisha, përgjegjës për korrupsionin

Kreu i Aleancës Kuqezi deklaroi se Kryeministri Sali Berisha e ka fundosur Shqipërinë në detin e korrupsionit, duke e bërë vendin më të korruptuar të Europës.

Sipas Spahiut, Berisha drejton sot Qeverinë më të korruptuar të 20 viteve postkomuniste.

“Shtetasi Berisha e katandisi Shqipërinë disa herë më të korruptuar se Qeveria Thaçi dhe shumë herë më të korruptuar se sa Qeveria e Fatos Nanos. Tashmë Shqipëria po shkon drejt izolimit. Shqipëria bëhet vetëm nëse arrestohet dhe burgoset shtetasi Berisha”, tha Spahiu.

Topi: Berisha zhyti vendin në korrupsion

Bamir Topi akuzoi kryeministrin Sali Berisha se po shfaq teza nacionalizmi njësoj si diktatori Enver Hoxha. Ish-presidenti, tashmë kryetar i Frymës së Re Demokratike, listoi një sërë aktesh antikombëtare të kryeministrit Berisha që nisin nga shitja e Shqipërisë një euro.

“Ata që deri sot për favore politike dhuruan territorin shtetëror detar, që u shitën pronat private e publike bizneseve pranë tyre me vetëm 1 euro, që kanë krijuar monopole ekonomike në favor të sekserëve të njohur në rajon, kanë zhytur vendin në korrupsion. Kryeministri i vetëm në Evropë që nuk bën dot zgjedhje të lira në parti dhe as në vendin e tij, na shfaqet sot si Mesia i Bashkimit Kombëtar, me të njëjtin stil e propagandë si diktatori Hoxha në vitet e fundit të sundimit të tij”, deklaroi Topi.

Kreu i FRD-së në takimin me strukturat e Tiranës bëri përgjegjës kryeministrin për rrënimin ekonomik, ku ironizoi atë që Berisha cilëson si “mrekullia ekonomike” në një kohë që ka rritur tej kufirit ligjor borxhin kombëtar, ndërsa ka ulur buxhetin për sektorët jetikë të vendit si shëndetësia dhe arsimi. I vetmi zë ku qeveria ka rritur fondet, tha Topi, është ai i përgjimeve sekrete.

“Situata është edhe më e nderë se në vitin 1990 dhe këtë psikozë e drejton personi që erdhi nga Partia e Punës për të marrë drejtimin e PD-së. Ti bëj ç’të duash, ik dhe kthehu kur të duash, por s’mund t’ia bësh këtë Shqipërisë”, u shpreh Topi.

Top Channel