Tragjedia në familjen Cuni

04/12/2012 18:00

Një vdekje fare e pakuptimtë. Një ngjarje që ka lënë në shok një familje, e cila një javë pas ngjarjes ende nuk e beson që djali i tyre 17-vjeçar nuk është më.

Ishte data 25 nëntor kur Julian Cuni kishte dalë të punonte si fatorino, në ditën e tij të parë të punës. Në vendin ku zakonisht hipin pasagjerët që drejtohen për në Durrës, pranë stacionit të trenit, furgoni i Julianit merr katër pasagjerë me destinacion fshatin Shën Vlash të Durrësit.

Sapo kanë mbërritur në sheshin “Rilindja”, pranë Laprakës, pasagjerët kanë ndërruar mendje duke kërkuar që të zbresin. Shoferi nën presionin e pasagjerëve ka ndaluar furgonin, ndërsa Juliani i ka kërkuar pasagjerëve paratë e biletës, pasi tashmë ata kishin marrë shërbimin e furgonit. Në debate e sipër, pasagjerët nuk pranuan të paguanin biletën prej 1500 lekësh të vjetra, me pretendimin se nuk arritën në destinacion. Më pas, mes tyre ka nisur një sherr, i cili degjeneroi me përdorimin e thikave duke bërë që adoleshenti të humbte jetën pak çaste më vonë, gjatë rrugës për në spitalin Ushtarak.

Pas vrasjes, Policia e Tiranës nisi menjëherë hetimet për identifikimin e autorëve. Në bazë të dëshmive të mbledhura në vendngjarje, policia siguroi të dhënat fizike të autorëve të vrasjes, duke përdorur madje dhe kamerat e një banke private, fare pranë vendit të ngjarjes.

Gjatë hetimeve intensive dhe dhjetëra të shoqëruarve, grupi hetimor mundi të identifikonte katër autorët e dyshuar, të cilët u shpallën menjëherë në kërkim. Zyrtarisht, sipas uniformave blu, Julian Cuni u vra pas sherrit nga katër autorë të dyshuar, të cilët janë kushërinjtë Morina, dy prej të cilëve, pasi u morën në pyetje, u lanë në gjendje të lirë ndërsa në kërkim janë shpallur dy të tjerët si bashkëpunëtorë në vrasje.
 
Julian Cuni ishte një 17-vjeçar plot ëndrra. Që në moshen 12-vjeçare ishte futur në punë për të ndihmuar ekonomikisht familjen, e cila gjendej në vështirësi ekonomike. Pasi përfundoi shkollën 9-vjeçare, i riu nuk u mendua dy herë për të gjetur një punë duke sakrifikuar në këtë mënyrë shkollimin për t’ju gjendur pranë ekonomikisht familjes.

Të gjithë në familjen e Julianit ende nuk e besojnë që Juli, djali energjik, nuk është më në gjirin e tyre. Jeta u tregua e padrejtë me të pikërisht në moshën kur lindin pasionet e para, dëshirat e para, ai u detyrua të rritej dhe të burrërohej para kohe duke bërë që familjarët mos ta shihnin më si 17-vjeçarin me trup të imët, të parritur mirë, por si një shtyllë mbështetëse e shtëpisë.

Babai i Julit, edhe pse në një gjendje të ngarkuar psikologjike, gjen forcën për të folur: “Të shkojë tjetri në punë dhe të vritet për 2 mijë lekë të vjetra është e pabesueshme. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. I bëj apel të gjithë pasagjerëve që mos të shkojnë në ekstrem. Të katër ata persona unë i dua në bangën e të akuzuarve. Më habisin që dy personat më të vjetër kanë lejuar që gjërat të shkonin deri në marrjen e jetës.”
 
Në familjen e Julit atmosfera është shumë e trishtë. Tymi i duhanit dhe kafja turke ndjekin ritualin e pritjes së njerëzve, të cilët kanë ardhur për të ngushëlluar familjen. Fjalët janë të tepërta, por Sadetja, nëna e Julit, një grua e cila rrezaton mirësi në fytyrë, nuk mundet ta mbajë dhimbjen që ka brenda: “Dua vetëm të vihet drejtësia sepse ai ishte një djalë i urtë. Edhe shoferi duhet të kishte ndërhyrë për shmangien e tragjedisë.”

Apeli i prindërve të Julit u drejtohet pikërisht atyre njerëzve që përdorin përditë këto linja lëvizëse. U drejtohet atyre pasagjerëve dhe atyre njerëzve të cilët përditë hipin në fugona për tu spostuar në qytete të ndryshme. Ata, nëpërmjet zërit të tyre, kërkojnë që kjo ngjarje kaq absurde të mos ndodhë më.  
 

Top Channel