PS do të abstenojë për Llallën

04/12/2012 20:35

Partia Socialiste do të abstenojë në votimin në seancen parlamentare ku pritet të zgjidhet Prokurori i ri i Përgjithshëm.

Grupi parlamentar socialist ka marrë këtë vendim në mesdite, duke argumentuar se nuk kundërshton kandidaturën, por procedurën e ndjekur nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani si antikushtetuese, pasi ndërpreu përpara kohe mandatin e Prokurores aktuale.

Nënkryetari i komisionit Parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, thotë për “Top-Channel” e rasti është i paprecedentë dhe ka vend për ankimim në Gjykaten Kushtetuese.

”Presidenti thyen një rekord në shkelje kushtetuese dhe i jep fuqi prapavepruese normës kushtetuese. Ky është një rast i pashembullt. Mandati i Ina Ramës, më së paku mbaron në maj dhe këtu ka vend për një gjykim kushtetues, e drejtë që mund ta ushtrojë vetë Prokurorja. Këtë nuk mund ta bëjë grupi parlamentar socialist apo një grup deputetësh pasi Gjykata Kushtetuese, siç jeni në dijeni, me vendim të saj të mëparshëm ka kufizuar të drejtën e ankimit për raste të këtij lloji”, deklaroi Xhafaj.

Në këtë vlerësim të parë të opozitës për emrin që pritet të jetë edhe Prokurori i ri i Përgjithshëm, Fatmir Xhafaj jep konsideratat për të si drejtues i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurise, por shton se mbetet për t’u parë si drejtues i institucionit të akuzës, ku presioni dhe ndërhyrjet nga politika dhe më gjere, jane shumë më të fuqishme.

”Llalla ka një vlerësim pozitiv personal për performancën dhe qasjen institucionale, duke pasur parasysh presionet e shumta që i janë bërë në këtë funkson. Mbetet të provohet nëse ai do të marrë miratimin e Kuvendit, sa do të jetë në gjendje të përballojë presionin, edhe sepse kjo qeveri ka një rekord në presione dhe ndërhyrje në punën e instucioneve”, shtoi deputeti socialist.

Ina Rama, e cila mbyll detyrën që mbajti prej pesë vitesh në krye të akuzës shqiptare, ka këtë vleresim të Fatmir Xhafës: “Arriti në kushtet e një trysnie të madhe të qëndronte në disa vendimarrje të rëndësishme dhe bëri përpjekje për të ruajtur pavarësinë e institucionit, por me keqardhje them se disa vendimarrje të rëndësishme kanë dështuar, si rasti i Gërdecit, si rruga Durrës-Kukës dhe në përgjithësi çështjet me korrupsionin e jashtëzakonshëm të kësaj qeverie”.

Por, Xhafaj i shton këtyre nënvizimeve faktin që Ina Rama ishte Prokurore e Përgjithshme me një kryeminister si Sali Berisha, që njihet për rekordet negative në raport me këtë post.

Në rastin e Prokurorit të ri të Përgjithshem, shton ai, pas gjashtë muajsh, kur PS të vijë në pushtet, do të ndryshoje qasja ndaj institucioneve kushtetuese, duke iu garantuar atyre pavaresia.

Top Channel