Gjyqi për vrasjen e 17-vjeçarit

04/12/2012 00:00

Gjykata e Tiranës vendosi masën e arrestit me burg për 53-vjecarin Sulejman Morina i cili akuzohet për vrasje në bashkëpunim të 17-vjecarit Ilirjan Cuni, fatorino në një furgon të linjës Tiranë-Durrës.

Gjatë seancës gjyqësore drejtuar nga gjyqtari Ibrahim Hoxha, i akuzuari Morina nuk pranoi autorësinë e vrasjes së 17-vjeçarit. Nëpërmjet avokatit mbrojtës, u deklarua në sallën e gjyqit, se 53-vjecari, jo vetëm që nuk kishte marrë pjesë në vrasjen e adoleshentit, por se ishte përpjekur të shuante grindjen që kishte nisur mes viktimës dhe djalit e nipit të të akuzuarit nga ana tjetër.

Sipas avokatit mbrojtës, vrasja e 17-vjeçarit ka ndodhur në furgon, ndërsa në këtë moment, Sulejman Morina ka qenë jashtë furgonit. Sipas avokatit, këtë fakt e vërtetojnë edhe pamjet e kamerave të sigurisë së një banke që ndodhej pranë vendit ku ka ndodhur krimi, në rrethrrotullimin e Zogut të Zi.

Por pavarësisht këtij pretendimi, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë duke vendosur ndaj Sulejman Morinës masën e sigurisë arrest me burg për akuzën e vrasjes së kryer me dashje në bashkëpunim.

Top Channel