Shkodër, nisin përmbytjet

03/12/2012 00:00

Më në brendësi të Nënshkodrës, në vendin e quajtur Ura e Gjo Lulit, pamja e fushave të ngjason me një liqen të madh. Bëhet fjalë për zonën më ulët të Nënshkodrës dhe si e tillë, në raste reshjesh shiu, kullimi i ujit është tepër i vështirë.

Ky territor prej dhjetra hektarësh që është nën ujë është zonë e katër komunave në kufi me njëra-tjetrën Dajçi, Bushati, Bërdica dhe Velipoja.

Aktualisht lumenjtë Kir, Drin dhe Buna që rrethojnë Shkodrën në tre drejtime kanë rritur ndjeshëm prurjet nga reshjet, por për momentin vazhdojnë të qëndrojnë në shtretërit e tyre.

Gjithashtu, prurje të mëdha ka pasur edhe në kaskadat e hidrocentraleve mbi lumin Drin, por për momentin nuk ka qenë e nevojshme hapja e ndonjë porte për shkarkime, çka do të rrezikonte seriozisht Nënshkodrën nga përmbytja.

Vazhdimi i reshjeve të shiut me intensitetin që kanë rënë gjatë dy ditëve të fundit në Shkodër mund të provokojë situta të vështira përmbytjeje.

Gjatë natës së djeshme dhe mëngjesit të sotëm dhjetëra shtëpi dhe rreth 400 ha tokë u përmbytën edhe në disa fshatra të Lezhës për shkak të reshjeve intensive të shiut. 

Top Channel