Panariti-politikës: Gjeni konsensus për tre ligjet

03/12/2012 00:00

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti përsëriti të hënën apelin ndaj
palëve politike, që të arrijnë konsensus për votimin e tre ligjeve që
kërkohen nga KE-ja për marrjen e statusit kandidat, në të kundërt
rrezikohet edhe mosmarrja e statusit për Shqipërinë.

Numri një i diplomacisë shqiptare i ka bërë deklaratat e tij sot në Komisionin Parlamentar të Integrimit, ku ka raportuar përpara deputetëve.

“KE kërkon miratimin e tre ligjeve që Shqipëria të marrë statusin e plotë të Bashkimit Europian. Çelja e negociatave fillon me përmbushjen e prioriteteve kyçe të Bashkimit Europian. Prioritete kyçe për integrimin janë edhe zgjedhjet e ardhshme, pavarësia e institucioneve, kryesisht të drejtësisë edhe vazhdimi i luftës kundër korrupsionit. Institucionet e BE kërkojnë angazhim konkret të klasës sonë politike dhe tre ligjet hapin dritën jeshile për marrjen e statusit të BE nga Shqipëria”, u shpreh Panariti.

Në përgjigje të kërkesë së anëtarëve të opozitës për të sqaruar qëndrimin e secilit vend të BE lidhur me statusin e Shqipërisë, duke pasur parasysh qëndrimin mëdyshës të Holandës, Panariti bëri të ditur se Holanda nuk do të jetë kundër marrjes së statusit kandidat për vendin tonë, por qëndrimi zyrtar lidhur me këtë fakt do të bëhet nga ministri i jashtëm holandez në samitin europian.

“Nuk mund të ndajmë vendet e BE në tre grupime për statusin e Shqipërisë. Qëndrimi final i Holandës do të jepet më 11 dhjetor. Holanda mbështet zgjerimin e BE, por kërkon të vazhdohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ai.

Panariti iu referua edhe deklaratave të Berishës që sollën një acarim të marrëdhënieve diplomatike me Greqinë, duke theksuar se ato janë bërë në një kontekst të qartë historik dhe nuk bëhet fjalë për ndryshime territoriale.

Top Channel