Berisha: Po marr borxhe për shqiptarët

03/12/2012 00:00

Nga mbledhja e grupit me deputetët demokratë, kreu i qeverisë Sali Berisha i ka cilësuar shqetësimet e opozitës për rritjen e borxhit tej kufirit ligjor, të pabaza. Berisha tha se qeveria e tij ka rritur borxhet vetëm për investime për të rritur mirëqënien e shqiptarëve.

“Përpjekja e eksponentëve të caktuar të opozitës për të dramatizuar problemin e rritjes së nivelit të borxhit nga 60 në 62.6 për qind është qesharake dhe qëllimkeqe. Ajo nuk ka asgjë tjetër, veçse tenton të pengojë këtë qeveri që të garantojë rritjen e mirëqënies ekonomike të shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Kreu i ekzekutivit tha se vendi ynë ka një pozicion të lakmueshëm në renditjen e nivelit të borxheve. Në këtë listë në lëmë pas 104 vende, ndër të cilat edhe vendet më të zhvilluara të botës, deklaroi kreu i qeverisë.

“Sipas madhësisë së borxhit publik ndaj GDP-së, Shqipëria renditet e 41-ta me një borxh prej 509.7 për qind. Japonia, ekonomia e tretë e botës, ka një borxh prej 201.7 për qind kundrejt GDP-së”, tha Berisha.

Nga kjo mbledhje kryeministri argumentoi edhe abstenimin e Shqipërisë në votimin për marrjen e statusit të vëzhguesit në OKB nga ana e Palestinës.

“Shqipëria e mbështet plotësisht zgjidhjen e konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës. Por ne besojmë se kjo çështje, ndoshta më kompleksja dhe më e vështira në planet, nuk mund të zgjidhet duke anashkaluar SHBA-të. Roli i SHBA-ve në zgjidhjen e këtij problemi është i pazëvendësueshëm”, sqaroi Berisha.

Në mbledhjen e parë të grupit parlamentar demokrat pas festimeve të 100-vjetorit, kryeministri vlerësoi pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të Shqiptarëve të cilët dhanë sipas tij mesazhin e bashkimit, mesazh që Berisha tha se mazhoranca do të vijojë ta përçojë nën moton “Të bashkuar me shqiptarët drejt integrimit”.

Top Channel