AK-Berishës: Mos e prek poltronin e Ismail Qemalit

03/12/2012 00:00

Aleanca Kuqezi akuzoi sot kryeministrin Berisha se ka shitur interesat e vendit tek qeveria greke, ndaj dhe ai nuk mund të shkojë në Vlorë e të mbledhë qeverinë në dhomën ku e mblodhi Ismalil Qemali qeverinë e parë.

“Ne i themi shtetasit Sali Berisha, që kryeson qeverinë, para se të hapë atë derë të shënjtë të asaj ode shqiptare, para se të ulet në atë plotron dhe ndenjëse që frymëzon historinë, t’u kërkojë falje të gjithë shqiptarëve, përkëndej në shtetin amë dhe për andej në Kosovën e mëvetme, shqiptarëve në Iliridën e Maqedonisë perëndimore, në Mal të Zi dhe në Luginë e Preshevës”, ka deklaruar AK.

Grupimi politik kërkon që kreu i qeverisë të kërkojë falje për “veprën antikombëtare” të kryer tre vjet më parë, kur firmëtarët, Ministrja e Jashtme e Greqisë Bakojanis dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Lulzim Basha, firmosën dhe prenë hapësirat detare të Shqipërisë për t’ia dhënë fqinjit jugor, ashtu siç u pre tragjikisht kufiri i Shqipërisë etnike më 1913-ën.

“Një akt i tillë do ta çlironte atë nga brerja e ndërgjegjes, nëse ka. Sepse ndryshe ai do ta përdhosë këtë tempull të shënjtë të shqiptarëve, kur ministra të kabinetit të tij do të ulen atje ku u ulën ikonat e shqiptarizmës. Ju, shtetasi Sali Berisha, nuk mund të bëni dot katarsis sepse jeni të rënduar edhe nga shumë vepra të tjera antikombëtare, të cilat në mos sot, po nesër domosdo, do të dalin në shesh e do t’u bëhet drejtësia e merituar”, ka thënë më tej Aleanca.

Top Channel