Shqipëria: Hetim Karla del Pontes

02/12/2012 00:00

Duke përshëndetur edhe një herë vendimin e pafajësisë për herë të dytë të Ramush Haradinajt nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, qeveria shqiptare ka paralajmëruar ndërmarrjen e një akti të paprecedentë.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t’i kërkojë instancave përkatëse ndërkombëtare të autorizojnë dhe të ndërmarrin  një hetim të pavarur ndaj ish-Prokurores Karla del Ponte në lidhje me pretendimet e ngritura në çështjen kundër ish-kryeministrit të Kosovës, z. Haradinaj. Këto instanca janë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ku Karla del Ponte, me detyrën e kryeprokurores akuzoi në mënyrë të përsëritur Ramush Haradinajn për krime kundër njerëzimit me vrasje masive të shqiptarëve dhe serbëve gjatë luftës së Kosovës.

Qeveria shqiptare thotë se janë tronditëse deklaratat e fundit të prokurorëve të Gjykatës së Hagës, të cilët pohojnë se akuza e ngritur ndaj ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga Karla del Ponte, është hartuar pa bazë të mjaftueshme provash, duke mos marrë parasysh dhe duke anashkaluar rekomandimin  e prokurorëve të çështjes kundër ngritjes së aktakuzës për mungesë provash, madje duke kërkuar edhe fshirjen e këtij rekomandimi nga regjistrat kompjuterikë të Gjykatës së Hagës dhe shkarkimin e tyre nga çështja.

Në bazë të këtyre deklaratave, Qeveria e Republikës së Shqipërisë thotë se do të kërkojë nisjen e menjëhershme të hetimit për  rolin tendencioz dhe të paligjshëm të Karla del Pontes për të nxjerrë në pah të vërtetën në lidhje me këtë çështje. Gjthashtu, qeveria shqiptare bashkohet plotësisht me kërkesën e autoriteteve zyrtare të Kroacisë për hetim të pavarur të ish-kryeprokurores Karla Del Ponte lidhur me akuzën e ngritur ndaj gjeneralit Ante Gotovina dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët Gjykata e Hagës i shpalli të pafajshëm.

Edhe Kosova kërkon hetim: Akuza të pabaza ndaj Haradinajt dhe UÇK-së

Edhe qeveria e Kosovës do të kërkojë hetime të pavarura kundër ish-Kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte.

Qeveria e Kosovës kërkon nga autoritetet kompetente ndërkombëtare, që të fillohen hetime kundër Del Pontes, për keqpërdorimin e autoritetit të saj si Kryeprokurore në rastin Haradinaj, rastin Limaj e të tjerë në vitin 2003, si dhe lidhur me fabrikimet fantastiko-shkencore të Karla del Pontes lidhur me akuzat e Dick Martit e më gjerë.

“Duke i njohur autorizimet dhe privilegjet e saj ligjore, qeveria ndan mendimin se këto autorizime dhe privilegje janë tejkaluar dhe keqpërdorur, deri në atë masë sa ka lejuar ngritjen e aktakuzave krejtësisht të pabaza, tendencioze e të kundërligjshme, duke cuar kështu në burgosjen dhe njollosjen e karaktereve të shumë figurave të cmuara politike të Kosovës, si dhe duke dëmtuar imazhin e shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Qeveria e Kosovës shpreh indinjatën e saj, sidomos pas deklaratave të Prokurorëve të tjerë të këtij Tribunali, të cilët vazhdimisht kishin shprehur mosbesimin e tyre në provat e ofruara nga znj. Del Ponte, dhe vecanërisht në vetë deklaratat e saj të fundit, me të cilat ajo ka pranuar se aktakuza që kishte ngritur, kishte mungesë provash e dëshmitarësh.

Prishtina i bën thirrje Sekretarit të Përgjithshëm të Tribunalit dhe autoriteteve të tjera ndërkombëtare si OKB-ja, që të fillojnë hetimin e veprimeve të saj të kundërligjshme, të cilat në cdo situatë do të arsyetonin zhveshjen e saj nga privilegjet, që ajo do të gëzonte normalisht si Prokurore.

Top Channel