PS:Berisha s’e kopjon dot Ismail Qemalin

02/12/2012 00:00

Pas lajmit se qeveria Berisha do të zhvillojë të martën mbledhjen në Vlorë, reagoi Partia Socialiste. Deputeti i këtij qyteti, Eltar Deda, tha se ministrja e Qeverisë së ç’Integrimit na habiti të gjithëve duke deklaruar se qeveria do të zhvillonte mbledhjen e saj të radhës në Vlorë, më 4 dhjetor, në simbolikë të qeverisë së Ismail Qemal Bej Vlorës.

“Sali Berisha nuk mund ta kopjojë dot Ismail Qemal Bej Vlorën sepse ndahen në qëllimin e ekzistencës së qeverive. Shpallja e pavaresisë para 100 viteve dhe krijimi i qeverisë së Ismail Qemal Bej Vlorës, kishin qëllimin e vetëm bashkimin e trojeve të të gjithë Shqipërisë, krijimin e shtetit shqiptar”, tha Eltar Deda.

Sipas deputetit socialist, qeveria e Berishës deri tani ka treguar më së miri, sidomos këtë vit të fundit, se ka vetëm një qëllim, që të ndajë shqiptarët në veri dhe në jug.

“Si kofini pas të vjelave, Saliu vjen në Vlorë në emër të simbolikës. Mbasi gjatë një viti rrjesht, kur qytetarët e Vlorës, me zërin e tyre, me zërin e kryetarit të Bashkisë, i kërkuan atij vëmendjen e duhur të qytetit tonë, atë vëmendje që i kushtuan burrat e mençur 100 vite më parë me Ismail Qemal Bej Vlorën”, vijon deklarata.

Sipas Eltar Dedës, Berisha u përpoq që gjatë gjithë një viti të tërë ta zhbënte Vlorën, historinë e saj, personalitetet e saj në vite, ngjarjet e saj, pllakatat e saj duke u munduar t’i çmitifikonte ato me njerëz sharlatanë, vende dhe ngjarje që në historinë e Shqipërisë mbartin vlera negative të paharruara.

Deputeti socialist thekson se Berisha e kishte shansin në këtë 100-vjetor, por e shkeli me këmbë.

Top Channel