Nacionalizmi, “skrapi” elektoral po trondit diplomacinë

30/11/2012 00:00

Aleksander Cipa – Në kulmin e gëzimit prej një kremtimi të fuqishëm
bashkues të shqiptarëve, (më i madhi në 100 vite), diplomacia ballkanase
sërish rizgjoi akuzat dhe befas recensionoi ashpër dhe pasoi me qëndrim
refuzues, një pohim të Kryeministrit Sali Berisha.

Referimi iu bë pohimit të datës 27 nëntor në Vlorë, në të cilin shprehimisht thuhet: “Vlorës, qytetarëve të saj, Ismail Qemal Vlorës e burrave të tjerë të kombit, që shpallën në këtë qytet të përjetshëm, në 28 Nëntor të vitit 1912, pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e Shqipërisë etnike, Shqipërisë së të gjitha trojeve shqiptare nga Preveza në Preshevë, nga Shkupi në Podgoricë. Nder përjetë babait të pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemal Vlorës, burrave që firmosën aktin e pavarësisë”.

Menjëherë pas kësaj, Kryeministri grek, Samaras, kishte komunikuar me ministrin e vet të Jashtëm, Avramopulos, për ta ndalur fluturimin drejt Tiranës dhe Vlorës. Një ditë më parë ishte konfirmuar edhe shuarja e vizitës nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Ivanov. Në festë, nga fqinjët, mbërriti vetëm presidenti i Malit të Zi, zoti Vujatovic. Një prezencë e vakët nga lidershipi ndërkombëtar dhe sidomos ai ballkanas në një festë të tillë kaq historike jo vetëm për shtetin shqiptar, por kuptimshmërisht dhe përmbajtësisht, për gjithë shqiptarët.

Sidoqoftë, për disa gjenden lehtë arsyet e mungesës, ndërkohë që të arsyeshme bëhen edhe disa hamendësime të përcjella në shtypin opozitar dhe sidomos në disa komente të vëzhguesve dhe përcjellësve të mprehtë të diplomacisë ballkanase. Por refuzimet me shkak të krerëve shtetërorë të Greqisë dhe Maqedonisë për pjesëmarrje në festën e madhe shqiptare të 100-vjetorit, kanë lidhje me arsye të vjetra që ndihmohen prej shkasit të ri.

Në tri prej gazetave të përditshme, ndër më të lexuarat aktualisht në Greqi, nënvizohet arsyeja pse Kryeministri Berisha po shton tonet e nacionalistit dhe po identifikohet prej tyre deri edhe si irredentist. Është halli elektoral, i cili e ka zënë në kuadër të zgjedhjeve të afërta të vitit që po troket. Kjo, sipas shpjegimeve dhe komenteve në mediat greke, ka lidhje me realitetin, se forca të reja politike e kanë marrë përsipër në oratorinë dhe veprimin e tyre elektoral, çështjen e bashkimit kombëtar të shqiptarëve. Në të vërtetë, itineraret dhe fjalimet e Kryeministrit në tubimet festive të Prizrenit, të Shkupit dhe në Tiranë e Vlorë, janë parë si momente të shpërthimit dhe vetëndierjes së tij si Kryeministër i gjithë shqiptarëve. Mjafton të kujtohen disa imazhe nga tubimi i Shkupit, për të nënvizuar faktin se zoti Berisha e harroi krejt përgjegjësinë e të qenët Kryeministër i Republikës së Shqipërisë administrative dhe jo i asaj Natyrale. Mirëpo, patetizmi i tij dhe retorika si e Kreshnikut(Spahiut) që s’ka droje dhe tagër të përfaqësimit diplomatik, padyshim që mund të kenë qenë arsyeja e parë e refuzimit të prezencës maqedonase në Tiranë dhe në Vlorë në datën 28 nëntor. Po shkak mjaftoi të gjendej “veza e hedhur mbi makinën e Kryeministrit Gruevski në Tiranë, edhe pse hedhësi i saj, një i ri, u vu menjëherë para përgjegjësisë ligjore.

Megjithatë, refuzimi diplomatik i Athinës dhe kthesa për vizitë e ministrit të Jashtëm, pas kaq vitesh ftohje dhe bllokim, qysh prej shkakut të shpalljes si antikushtetuese të marrëveshjes shqiptaro-greke të ujërave në Jon, ka një semantikë më të thellë. Nuk është vetëm irritim apo thjesht provokim nacionalist i ardhur nga Kryeministri ynë në adresë të Greqisë! Pohimi i shprehjes së huazuar nga francezët, i zotit Berisha se “miqtë shkëlqejnë më shumë me mungesën e tyre”, duhet lexuar me shumë vëmendje. Nuk është thjesht një gjetje inteligjente për të mos ekspozuar qejfmbetjen zyrtare të shtetit fqinj, por le të hamendësojmë se ku qëndron shkëlqimi më i shumtë i miqve që munguan?! Deri ku shkon e sa do të mbajë mëria greke pas kësaj? Si dhe në ç’mënyrë Kryeministri ynë që është shquar në dy mandatet e qeverisjes për politikën e fqinjësisë së mirë dhe të bujarisë së materializuar, do ta shuajë qejfmbetjen e fundit greke?! Si do të lëvizet prej diplomacisë sonë dhe vetë Kryeministrit për shuarjen e këtij keqkuptimi? Do të mjaftohet me korrekturën që bëri zëdhënësja e qeverisë shqiptare, apo me tëhuajtjen e shprehjes franceze të shkëlqimit më shumë prej mungesës??!! Apo, meqenëse jemi para dhe në fushatë, lëvizjet në diplomacitë shqiptaro-greke shpesh në kontekstet elektorale kanë për fruta çështje të deputetëve që i përkasin pakicës greke në Shqipëri dhe i shërbejnë Greqisë? !!! Në qasje të këtij hamendësimi të mundshëm, në Himarë, mbështetësit e kreut jogrek të OMONIA-s, personit që militoi si andart i kohës moderne,(ose po të huazojmë një cilësim lokal në Himarë si “korofillak”, në krye të Bashkisë së Himarës) dhe që u njoh si aleat i Kryeministrit, i qarkullojnë dëshirën për deputet në 2013?!!! Ky është vetëm një detaj, por “çështja e ujërave” e lënë në pengësi apo e mbajtur në kalenda, është jo vetëm një hall shqiptaro-grek, por “kopsë” diplomatike dhe politike mes dy vendeve.

Një opozitë serioze në raste të tilla, bëhet më syçeltë dhe natyrisht shprehet në solidaritet me interesin e reciprocitetit ndërshtetëror dhe avokate e interesit të paprekshëm kombëtar. Rasti i refuzimit diplomatik nga Greqia dhe Maqedonia për pjesëmarrje krerësh shtetërorë në tubimet zyrtare për festimin e 100-vjetorit, do të duhej të ishte vlerësuar me qëndrim dhe prononcim të udhëheqësit të saj, zotit Rama. Sepse në fund të fundit, mëria kurrë nuk mund të shfaqet në mes të “dasmës” së një kombi e të një populli. 100-vjetori nuk ishte thjesht një festë shtetërore. Ajo është ngjarja më e madhe e një kombi në një shekull. Grekët këtë kod e këtë normë e kanë pjesë të konstitucionit qysh nga zanafilla e tyre etnike. Me fqinjin, duhet gabuar vështirë dhe natyrisht duhet tejkaluar gabimi lehtë. Sidomos kjo vlen në Ballkan.

Natyrisht që grekët dhe fqinjët e tjerë ballkanas ka kohë që i mban të shqetësuar prirja e pakthyeshme e procesit të natyrshëm për bashkim kombëtar të shqiptarëve. Kjo është prirje e përcaktuar si prej Zotit, në një kah me procesin integrues të BE-së. Politika e shqiptarëve në Tiranë, Kosovë, Tetovë apo Shkup këtë “aksiomë” e ka respektuar me rigorozitet dhe e ka ndjekur përmbajtësisht me besnikëri. Në rastin e 100-vjetorit asgjë nuk ka ndryshuar. Në fund të fundit, ajo që po ndodh mes Shqipërisë administrative dhe republikës rishtare të  Kosovës, as më pak e as më shumë, është pjesë e së vërtetës profetike të bërë nga Ati i shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlora në intervistën për gazetën italiane “Il Piccolo” në 20 nëntor të 1912-s, ndërsa ngiste ditët për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. ”Bashkimi shqiptar, thjeshtëzon konfigurimin e Ballkanit”. Rikthimi i pohimit profetik të Plakut të Vlorës, në gojën e Kryeministrit aktual të Shqipërisë, nuk ka pse përkon me të njëjtin reagim refuzues prej fqinjëve dhe politikës e diplomacisë së tyre. Të vërtetat janë besnikëria e realiteteve që provohen, ndërsa nacionalizmat në Ballkan dëshmojnë e prodhojnë krejt të kundërtën. Në deklaratat e Kryeministrit që ka ditur të firmosë e përkulet para fqinjëve, nuk ka pse lexoni irredentizëm apo nacionalizëm. Ato janë thjesht një “skrap” elektoral, i cili matanë tronditjes së fundit diplomatike me fqinjët, fsheh një qëllim të pastër dhe interes të dukshëm për betejën e re politike në zgjedhjet e 2013-s.

Gazeta “Shqip”

Top Channel