FRD në Durrës: Të përqafojmë frymën e re

30/11/2012 18:25

Partia Fryma e Re Demokratike ka themeluar pasditen e së premtes degën e saj në qytetin e Durrësit, ku ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen frymës së re dhe të largohen nga qeveria aktuale, që sipas saj po rehabiliton diktaturën.

Fillimisht ka qenë numri dy i FRD-së, Gazmend Oketa, i cili në fjalën e tij para simpatizantëve ka akuzuar lidershipin qeverisës se ka zhgënjyer pritshmëritë e hershme të shqiptarëve.

“Pushteti aktual nuk përfaqëson më ëndrrën shqiptare te 1990-ës, as atë të 2005-ës. Ndaj, sot duhet të përqafojmë Frymën e Re, që të ngjallim shpresën e vrarë dhe besimin e dëmtuar të qytetarëve”, ka deklaruar Oketa.

Ai i ka cilësuar si absurde pretendimet e qeverisë që e bëjnë Shqipërinë një Zvicër me det, ekonomi gjermane apo superfuqi kineze.

“Papunësia dhe varfëria po mbysin shqiptarët, 35 për qind e tyre marrin ushqime me listë. Dëmi që ky pushtet i ka shkaktuar demokracisë do të mbetet ndër vite”, ka thënë Oketa.

Ndërsa kryetari i FRD-së, Bamir Topi, në fjalën e tij të marrë pas deputetit të Durrësit, ka denoncuar shkeljet e njëpasnjëshme që po bën qeveria shqiptare, e cila sipas tij po uzurpon të gjitha institucionet.

“Pazare, keqqeverisje, financime të dyshimta, uzurpim të pushteteve dhe së fundmi personalizim të festës më të madhe kombëtare, shpalljes së Pavarësisë. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, ka thënë Topi.

Ai është shprehur se, qytetarët duan mirqënie, vende pune, mundësi për përmirësimin e jetës dhe prestigj për të qenë qytetarë të denjë, e jo ekspertizë për gjithçka nga një njeri i vetëm.

Më tej ish-kreu i shtetit ka ftuar qytetarët që t’i japin fund me votë dhe me mjete demokratike modeleve të vjetra të qeverisjes, të sjellin një rotacion të vërtetë dhe jo thjesht të kalojnë pushtetin nga njëri individ tek tjetri.

Top Channel