Ambasadorët: Plotësoni kushtet

22/11/2012 00:00

Qeveritë europiane janë duke ndjekur me kujdes zhvillimet në Tiranë që
lidhen me proceset integruese për të formuar më pas qëndrimet e tyre të
cilat do të përkthehen me votë pro apo kundra rekomandimeve të 10
Tetorit nga Komisioni Europian.

Nicholas Cannon, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë thotë për Top Channel se Ministria e Jashtëme britanike Foreign Office ende nuk e ka një qëndrim por gjithçka lidhet me zhvillimet në Shqipëri.

“Në fakt pozicioni është ai që ka qënë edhe më parë. Komisioni ka vendosur kriteret që duhen për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ne shpresojmë që Shqipëria t’i plotësojë ato sa më parë që të jetë e mundur. Siç e dimë Komisioni ka dhënë një rekomandim pozitiv dhe autoritet e vendit tim në Londër janë duke i parë ato. Në të njëjtën kohë janë duke u parë edhe lëvizjet e fundit të palës shqiptare, për të cilat jemi duke pritur të shohim se çfarë do të ndodhë. Natyrisht më shumë punë duhet bërë në realizimin e tre ligjeve të mbetura. Ne jemi duke pritur atë cfarë do të thotë Komisioni Europian në raport për këto cështje. Kur kjo të ndodhë ministrat e mi në Londër do të kenë një qëndrim. Por më jo parë. Dua ta rikethksoj se në jemi duke pritur raportin e ardhshëm të Komisionit ku do të përfshihen edhe ligjet e mbetura pa votuar. Atëherë do të jetë momenti kur do të formojmë qëndrimin tonë”, thotë Cannon.

Mads Sandau Jensen ka pak kohë që është emëruar ambasador i Mbretësisë së Danimarkës në vendin tonë. Sipas tij vota e Danimarkës do të përkojë me realizimin e detyra të shtëpisë të lëna nga Komisioni Europian.

 “Ne nuk kemi një qëndrim tonin përfundimtar. Me shumë gjasa, do të ndjekim rekomandimet e komisionit. Shqipëria duhet patjetër të plotësojë këto rekomandime të vendosura nga komisioni. Kjo ska asnjë mëdyshme. Nëse ato plotësohem unë ju them se nuk do të jem nervoz”, tha Jensen.

Top Channel