20 vjet bashkëpunim me Austrinë

22/11/2012 20:30

Austria dhe Shqipëria festuan bashkëpunimin 20-vjeçar në shumë fusha, përfshi mbështjetetjen në procesin e integrimit gjatë dy dekadave të fundit.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte edhe zëvendës-kancelari austriak, njëherazi Ministër Federal për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare, z. Michael Spindelegger, i cili në fjalën e tij evidentoi bashkëpunimin si një sukses i dy vëndeve, mes te cilave ekziston një histori e gjatë.

Zëvëndës-kancelari renditi një sërë projektesh social-ekonomike që kapin vlerën e 100 milion eurove. Ndersa kryeministri Berisha e vleresoi si një aktivitet të vecantë ku të gjitha falenderimet i shkojnë kombit austriak, për ndihmën dhe mbështetjen konstante ndaj Shqipërisë.

Berisha nenvizoi shkollimine shumë të rinjve shqiptarë në Austri dhe shtoi se pavarësisht krizës ekonomike në Europë, bizneset austriake në vëndin tonë sa vinë e forcohen. Zëvendës-kancelari Spindelegger u shpreh se Austria do të jenë krah të Shqipërisë për të bindur vëndet skeptike në BE në marrjen e statusit, por ama duhen plotësuar kushtet.

“Janë kushte që duhen patjetjetër të përmbushen. Keni ende kohë dhe kjo kohë duhet të shfrytëzohet në përmbushjen e këtyre kushteve. Natyrisht që ka edhe skeptikë në Europë. Ne austriakët jemi mbështetës të fuqishëm të integrimit të shqipërisë në BE, por kushtet duhet përmbushur”, tha Spindelegger.

Top-Channel e pyeti zëvëndës-kancelarin ne lidhje me një artikull në median austriake ku dy kompani të cilat operojnë në fushën e energjitikës kanë shprehur shqetësimin për marrëdhëniet e tencionuara mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë CEZ.

“Natyrisht që jam i shqetësuar për disa zhvillime që po ndodhin në Shqipëri. Ne kemi bashkëbisedime të mira me ministri të ndryshme dhe shpresoj t’i zgjidhim këto probleme. Pata mundësinë sot të flas me Presidentin e Republikës, të cilit i transmetova disa prej problemeve. Ai më premtoi se do të shikojë të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje. Të gjithë janë të interesuar për t’i zgjidhur problemet në mënyrë që bashkëpunimi ynë të vijojë në të ardhmen”, shtoi ministri.

Zëvendës-kancelari Spindelegger tregoi disa detaje ku qëndron problematika që ndeshen disa prej bizneseve austriake në Shqipëri. “Janë disa probleme që vinë nga e shkuara pasi na është premtuar zgjidhje nga ana e qeverisë si përshembull rikthimi i TVSH-se. Kjo nuk ka ndodhur. Prandaj ne e risollëm në vëmendjen e autoriteve shqiptare. Kemi edhe disa probleme të tjera të cilat tashmë ndodhen përpara gjykatës. Ne dëshirojmë që për ato të jepen vendime. Kjo është e nevojshme për të bindur bizneset austriake në mënyrë që ata të jenë më aktiv në Shqipëri”.

Top Channel