15 vite burg për Ilir Kumbaron

22/11/2012 00:00

Duke iu referuar ligjeve të vitit 1995, amnistisë së 2007 dhe një vendimi të Gjykatës së Lartë, Gjykata e Krimeve të Rënda dha drejtësi pas katër viteve maratonë gjyqësore për dosjen me të ndjeshme të viteve të fundit në të cilën ndodheshin nën akuzë ish-zyrtarë të shërbimit sekret vendas.

17 vjet pas ngjarjes që implikoi Shërbimin Informativ kombetar, drejtësia foli për herë të parë pas 124 seancave gjyqësore mbi operacionin sekret  gjatë të cilit u rrëmbyen Ziso Kristopulli, Avdyl Loshaj dhe Remzi Hoxha, e më pas edhe u torturuan.

Por gjykata mbajti qendrim tjetër nga prokuroria duke ndryshuar kualifikimin e veprave penale ndaj të akuzuarve , të cilët sipas gjykatës kanë kryer veprime të kundraligjshme, por me akuzën e re që gjykata u adresoi, ata përfitojne nga amnistia e vitit 2007. E për këtë ndaj Arben Sefgjinit dhe Avni Koldashit pushohet gjykimi, pohoi gjyqtari Gurali Brahimllari për akuzën e kryerjes së veprimeve arbitrare dhe cënimin e lirisë ndaj Remzi Hoxhës dhe Ziso Kristopullit, ndërsa ata janë të pafajshëm për këto akuza për të rrëmbyerin tjetër Avdyl Loshaj.

Duke marrë në konsideratë një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë, gjykata e cilësoi marrjen nga SHIK-u të këtyre tre shtetasve si cënim lirie, pasi rrëmbimi kryhet, sipas gjykatës për qëllime përfitimi. Kjo do të thotë se edhe Ilir Kumbaro u dënua për një akuzë të re, atë të kryerjes së torturës me pasojë vdekjen e Remzi Hoxhës.

“Qytetari më kombësi shqiptare dhe shtetësi maqedonase Remzi Hoxha, ka vdekur në harkun kohor të disa ditëve pas privimit nga liria dhe se në këtë kohë ka qenë në duart e punonjësve të shërbimit informative kombëtar. Në këto rrethana, gjykata vendos se shtetasi Ilir Kumbaro, tej cdo dyshimi të arsyeshëm, ka qenë personi që ka mbajtur në izolim, që ka keqtrajtuar dhe dhunuar sistematikisht dhe në mënyrë çnjerëzore të dëmtuarin Remzi dhe për rrjedhojë me veprimet e tij të drejpërdrejta, kriminale ka sjellë edhe vdekjen e tij, prandaj duhet të përgjigjet për veprimet e tij sipas nenit 87 të Kodit Penal”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Për Gjykatën është e paprovueshme se në çfarë rrethanash ka vdekur Remzi Hoxha gjatë kohës që ai po torturohej apo gjatë një momenti tjeter, por tha gjykata, biznesmeni nuk kishte asnjë mundësi të largohej nga baza e SHI-ut në Vain pasi perimetri ishte i rrethuar me roje të armatosur, çka prezumon vdekjen e Remzi Hoxhes brenda ambienteve të SHIK-ut.

“Në përfundim të këtij gjykimi, ndonëse nuk është gjetur trupi i të dëmtuarit Remzi, gjykata bindet se ai duhet të prezumohet i vdekur dhe se vdekja ka ndodhur gjatë periudhës që është mbajtur në izolim ku provohet se prezentë kanë qenë, i pandehuri Ilir Kumbaro dhe vartësi i tij”, thuhet më tej në vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Në përfundim të procesit, djali i Remzi Hoxhës, kësaj radhe ishte jo vetëm i ashpër me gjyqësorin, por edhe me akuzat në adresë të kryeministrit.

“Drejtësia në Shqipëri, sot për herë të dytë na vrau babain dhe kjo është drejtësia e Shqipërisë, drejtësia e Sali Berishës dhe më vjen turp të them që jam shqiptar. Fatkeqësisht të gjithë këta punojnë për kryeministrin e tanishëm, Sali Berisha që ka qenë kryetar. Kryeministri ka qenë urdhër-dhënësi, ai dhe Bashkim Gazidede janë edhe provat që prokuroria i ka që tregojnë se Berisha ka penguar drejtësinë”, deklaroi Adrian Hoxha, djali i të ndjerit Remzi Hoxha.

Top Channel