100-vjetori, moment feste apo reflektimi?

22/11/2012 00:00

Vetëm një javë larg 100-vjetorit të pavarësisë, të dy kampet janë në një kompeticion deri në kufijtë e qesharakes, në përballjet e tyre politike dhe kritikat e ndërsjellta për qasjen reciproke ndaj këtij momenti historik të shtetit shqiptar.

Megjithatë, ka edhe një moment tjetër që na bën të diskutojmë, ose së paku të mendojmë. Të gjithë kemi ditëlindjet tona dhe zakonisht, pas kalimit të viteve të rinisë, kur ditëlindjet konceptohen si festë, këto ditëlindje shndërrohen në një moment reflektimi.

Në këtë kakofoni të gëzueshme, të tepruar dhe mbase hiprokitre, “Top-Story” i Sokol Ballës u ndal pikërisht në historinë e këtij një shekulli pavarësi dhe reflektimin mbi këtë periudhë, me katër debatues në studio, duke nisur nga Ekram Spahia, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe kryetar i Partisë së Lëvizjes së Legalitetit, Ylli Rakipi, analist, botuesin e “Mato”-s, analistin e sipërmarrësin Henri Çili dhe diplomatin e ish-publicistin, Dritan Hila.

“Përjetimi i shtetit shqiptar është një reflektim, pasi të shohësh vërtet se çfarë ka ndodhur në këto 100-vjet është edhe dramatike. Akti i pavarësisë ishte një akt shpëtimi për shqiptarët, aq sa u shpëtua. Por, duke kthyer kokën pas, shohim që këto 100 vjet kanë dritëhije dramatike, që tregojnë në këtë proces të stërgjatur të një shteti, që për të thënë të vërtetën, ende nuk është i këtillë, drejt pretendimeve që ne kemi, mundësive më të mëdha që kemi patur. Realisht, 50 vjet, pra një e dyta e kësaj periudhe, është një errësirë dhe drame e madhe për shqiptarët”, nisi vlerësimin e tij për këtë 100-vjetor Ylli Rakipi.

Nga ana e tij, Henri Çili nuk kishte dyshime mbi faktin se këto ditë, duhet të intensifikohet toni festiv dhe reflektimet të lihen për më vonë. “Ka arsye për të festuar më së shumti dhe kemi edhe 100 vite të tjera për të menduar, reflektuar dhe punuar. Ky është një përkim i mirë, një mundësi e mirë për shqiptarët në këtë fillim i shekullit të ri. Megjithatë, nëse nuk i vendosim gjërat në kontekst, me historinë e kombeve dhe shteteve të tjera nuk do të kishte kuptim.Duke vazhduar në renditjen e elementeve të tij në arsyet përse duhet të ndihemi krenarë në këtë ditë, Çili shtoi: “Sot, në botë mund të ketë mbi 500 kombe, bashkësi njerëzish që identifikohen nëpërmjet gjakut, por bota ka vetëm 193 shtete dhe kjo është merita e parë, arsyeja e parë për të qenë krenarë. “Elementi i dytë, shumë prej kombeve janë vendosur fatkeqësisht, në cepa të humbur të globit, ku përtej mëkateve ose meritave të tyre, ajo që ndodh rreth e rrotull nuk ka pikë rëndësie në shkallë globale. Ne kemi fatin e madh që jemi në Europë”.

Përsa i përket periudhave, Çili e ndau shekullin e pavarur të shqiptarëe në tre të tilla. “Në të tre periudhat, në vitet 1920-40, pas Luftës së Dytë Botërore dhe gjatë tranzicionit, ka ndodhur ekzaktësisht e njëjta gjë me shumë shoqëri rrotull nesh, përsa i përket regjimit politik apo zhvillimit ekonomik lehtësisht më të lartë në ato vende, por pa diferenca të mëdha. Fatin e komunizmit e pati gjysma e botës dhe periudha e demokratizimit është vërdallë nesh në të gjithë zonën. Pra nuk na ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme, në krahasim me një mitologji që qahemi se ne na kanë rënë më të këqijat”.

“Si përfundim, ndoshta ky 100-vjetor është një përkim pozitiv i disa elementëve që duhet të na bëjnë të ruajmë optimizmin dhe të mos reflektojmë gjendjen shoqërore apo politike në atë të vendit. Përkimi i parë, jemi strategjikisht dhe gjeopolitikisht në anën e duhur, nga pikëpamja e rritjes ekonomike, megjithatë diferencën që ende kemi, nuk kemi qenë asnjëherë në këtë nivel mirëqënie. Si shoqëri, nuk kemi qenë asnjëherë më të përpunuar dhe kam një tërësi elementësh kur e them këtë. Mjafton të marrësh si shembull median ku jemi, me një infrastruktë të tërë komunikimi e informacioni, në kushtet kur deri para 10 vitesh nuk kishim telefon”, shtoi Çili.

Një tjetër i ftuar i cili e sheh këtë moment si një moment të rëndësishëm feste, Ekrem Spahia, deklaroi: “Të gjithë shqiptarët kanë të drejtën e Zotit që të gëzojnë më shumë për 100-vjetorin e ngritjes së flamurit të Skëndërbeut dhe besoj se nuk ka shqiptar që nuk i gëzohet kësaj dite dhe ky është një fat i madh për këtë gjenetarë. Ne si legalistë kemi edhe një arsye më shumë, sepse për herë të parë festohet përvjetori i shpalljes së pavarësisë me eshtrat e Zogut në atdhe, në mauzoleumin e ngritur. Kemi edhe ngjarje të tjera të rëndësishme fatmirësisht, siç është kthimi i përkrenares së Skëndërbeut, meritë e të cilës është veçanërisht ajo e kryeministrit të Shqipërisë”.

Duke u ndalur tek polemikat për zgjedhjen e qeverisë për të spostuar festimet nga qyteti i Vlorës në Tiranë, Spahia argumentoi: “Festimet duhet të bëhen në të gjithë qytetet, pasi të gjithë shqiptarët duhet të festojnë këtë ditë të shënuar. Përsa i përket bilanceve, bilancet pozitive janë të dukshme dhe për një moment duhet të harrojmë betejën partiake, që deri në momentin e fundit dominonin edhe të ardhmen për 100-vitet e ardhshme. Dështimin e një personi dhe partie nuk duhet t’a lidhim me atë të Shqipërisë dhe aq më tepër të kombit”.

Në fundin e pjesës së parë të debatit, si një diplomat dhe ish-publicist, Dritan Hila i bëri një përmbledhje të plotë panoramës së 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. “Problemi ynë është që vazhdojmë t’a imitojmë të shkuarën. Ka një moment në spotin qeveritar të festimeve, që thuhet se ky është vendi më i bukur në botë. Si mund të jetë kur 1,5 mln shqiptarë kanë ikur dhe qindra mijëra të tjerë duan të ikin, por nuk munden. Ne nuk kemi arritur të bëjmë vendin më të bukur në botë dhe ata që e shohin Shqipërinë të idealizuar janë ata shqiptarë të Kosovës, ndërsa ne shqiptarë të Shqipërisë, kemi arsye të gëzohemi, por unë shikoj që në mënyrë relative, kemi qenë aty ku jemi”.

Duke shtjelluar këtë koncept, Hila vazhdoi: “Kemi qenë vendi që në kohën e Zogut i kishim të ardhurat dy herë më të ulta se vendet e Ballkanit, edhe sot dy herë e gjysmë më të vogël se vendet e tjera të rajonit i kemi. Udhëheqësit në Shqipëri imitojnë njëri-tjetrin në shumë drejtime, dhe nga 100 vjet, 90 i kemi të dominuara nga tre figura kryesore, me Zogun që 3-4 vitet e para bëri gjëra të mira, pastak Enver Hoxha që në 6-7 vitet e para ndërtoi shumë gjëra dhe Berisha, që në katër vitet e para bëri një qeverisje të mirë. Pastaj, të gjithë bien në të njëjtin format, largojnë bashkëpunëtorët që janë një konstelacion yjesh, marrin poza dhe aplikojnë metoda autokratike, deri kur dalin në veprime çnjerezore si eliminimi fizik në kohën e Zogut dhe Enverit. Pas kësaj periudhe fillestare, të gjithë liderat futen në fazën konsevatore kur mendojnë vetyëm për pasurimin dhe veten, duke u bërë pengesë për vendin”.

Në pjesën e dytë të emisionit, kreu i PLL-së, Ekrem Spahia mbrojti figurën e ish-mbretit Ahmet Zogu. Zoti Spahia tha se është meritë e Zogut për ngritjen e institucioneve dhe infrastrukturës së nevojshme rrugore për atë kohë. “Zogu ia la  shtetin të ngritur Enver Hoxhës, tha zotit Spahia duke kritikuar më pas qendrimin e Rexhep Qoses kundër figurës së tij. Publicisti Ylli Rakipi shtoi se nuk mund të trajtohen figurat bardhezi, por duhen vlerësuar në bazë të veprimeve dhe vendimeve të tyre në situata të ndryshme.

Publicisti Dritan Hila e cilësoi provokim kthimin e eshtrave të ish-mbretit Ahmet Zogu pikërisht me 17 nëntor, ditën e çlirimit të Tiranës. Por kreu i PLL-së, Ekrem Spahia shpjegoi vendimin: “Qeveria ka ndërmarrë hap pas hapi të gjithë vendimet për kthimin e eshtrave të Zogut. Data 17 ka simbolikë pa provokim. Më 1944 Brigada e Parë sulmuese hyn në Tiranë, dhe vepra e parë që kryen është hedhja në erë e varrit të Mbretëreshës Sadie dhe prishjes së mauzoleumit. Më 17 nëntor 2012 u përurua mauzoleumi i gjithë familjes mbretërore dhe kjo nuk është bërë për të provokuar, por për të përkujtuar”, tha zoti Spahia.

Top Channel