Që në aktin e parë të rëndësishëm, Komisioni i ri Qendror i Zgjedhjeve përfshihet nga debate dhe qëndrime të kundërta. Rishpërndarja e mandateve, që ndryshon numrin e deputetëve që do të nxjerrë çdo qark në zgjedhjet e 2013-ës, nuk gjeti dakordësinë mes palëve.

Përfaqësuesit e partive dhe trupa e KQZ-së debatuan gjatë mbi informacionin për gjendjen e popullsisë në çdo qark që Ministria e Brendshme i ka nisur institucionit më të lartë zgjedhor.

Mbi këtë informacion, KQZ do të përcaktojë dhe numrin e deputetëve për çdo qark. Por opozita evidentoi lëvizje të mëdha të banorëve në këtë dokumentacion të ri, krahasuar me atë që po Ministria e Brendshme ka lëshuar pak muaj më parë.

Sipas informacionit të mëhershëm, Kukësit i takonin 3 deputetë, ndërsa me të dhënat e reja të Ministrisë së Brendshme, ky qark merr një deputet më shumë për shkak të rritjes së numrit të banorëve, që në këto të dhëna të MPB janë dy herë më shumë se rritja mesatare e popullsisë në të gjithë vendin, ndërsa kanë pakësim të rritjes qarqet Berat dhe Korçë.

Për opozitën, këto lëvizje të popullsisë janë “marifete” të Ministrisë së Brendshme. Genc Gjoçaj ngriti pikëpyetjen përse në komunat më të thella të vendit, rritja e popullsisë rezulton 10 herë më e lartë se në pjesën tjetër të Shqipërisë.

“Nëse do të shikojmë se aty ka shkuar rruga dhe ka shkuar popullësia, kjo është absurde. Këto janë marifete të Ministrisë së Brendshme”, deklaroi Gjoçaj.

“Lëvizin njerëzit, por kjo nuk do të thotë se duhet të jetë e paligjshme. Ça ka këtu për t’u shqetësuar”, replikoi përfaqësuesi i mazhorancës, Njazi Kosovrasti.

Duke qenë se ka dyshime për lëvizje fiktive të popullsisë me qëllim lëvizjen e mandateve të deputetëve, anëtari i PS në KQZ, Denar Biba kërkoi që ministria të argumentojë këto zhvendosje masive nga qarqe në jug drejt qarqeve në veri të vendit. Por kryetarja Lefteri Lleshi tha se nuk është në të drejtën e KQZ të verifikojë shkakun e lëvizjes së qytetarëve.

“Nuk kontestoj shkresën zyrtare, por proçesin se si kemi arritur në përfundimin që ajo përmban”, deklaroi Biba. “Të gjitha insinuatat që bëhen për këtë shkresë, që nga pikëpamja juridike për të gjithë nuk ka asnjë shkelje ligjore, të shqyrtohen nga ato institucione që i bëjnë”, reagoi kryetarja Lleshi.

Anëtarët e mazhorancës në KQZ ishin të qëndrimit se ky institucion duhet të miratojë aktin e rishpërndarjes së deputetëve mbi të dhënat e Ministrisë së Brendshme dhe le të jenë institucionet që të bëjnë verifikimin e lëvizjes së banorëve.

Por opozita kundërshtoi duke argumentuar se KQZ ka të detyrueshme edhe hetimin administrativ. Duke qenë se akti kërkon shumicë të cilësuar të votave, u pranua që vendimi të shtyhet për pas dy ditësh dhe ministrisë t’i kërkohet informacioni shtesë.

Përveç qarkut të Kukësit, lëvizje deputetësh pritet të ketë dhe qarku i Tiranës dhe Durrësit që iu shtohet nga një mandat, ndërsa Korçës i pakësohet një deputet dhe pakësimi i një mandati mbetet i diskutuar mes Beratit dhe Kukësit, i cili do të varet nga vendimi i KQZ-së të premten.

Top Channel