Komisioni Evropian do t’i raportojë vendeve anëtare vetëm kur Shqipëria
të ketë plotësuar kushtet e përcaktuara në raport-progres, dhe për këtë
vetë Komisioni nuk kushtëzohet nga një datë përfundimtare, siç ishin
datat 19 e 20 nëntor të trumbetuara në Tiranë.

Në një intervistë për Top Channel, zëdhënësi i Komisionerit për Zgjerim Shtefan Fyle sqaron se hartimi i raportit të Komisionit nuk varet nga afatet e jashtme kohore, por nga rezultatet që duhet të dorëzojë Shqipëria. Sipas Komisionit, afati i vetëm kohor është përmbushja sa më e shpejtë e tre kushteve, së bashku me dhënien e dëshmive në luftën kundër krimit e korrupsionit.

Top Channel: A do të hartojë Komisioni një raport për vendet anëtare mbi çfarë është bërë apo nuk bërë në Shqipëri deri më sot?

Peter Stano: Mendoj se udhërrëfyesi i afatit kohor është përcaktuar shumë qartë në raport-progres. Komisioni ka deklaruar çfarë pritet nga Shqipëria, në mënyrë që të jetë i aftë të rekomandojë statusin kandidat. Dhe ne do ta bëjmë këtë sapo të jetë arritur progresi i nevojshëm. E kemi thënë që në këtë fazë janë tre pika kyçe: reforma në administratën publike, reforma në gjyqësor dhe reforma për rregulloren e parlamentit. Komisioni do të përgatisë raportin vetëm kur të realizohet përmbushja e tyre. Pra ndërvarësia qëndron tek fakti që ne mund të bëjmë raport vetëm pasi të jenë dhënë rezultate, dhe këtë raport do t’ja paraqesim Këshillit, pa marrë parasysh afatet e jashtme kohore. Dhe kur të prezantojmë këtë raport mbi tre çështjet që sapo përmenda ne do të shohim gjithashtu çfarë përpjekjesh janë bërë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Top Channel:  Pra për Komisionin nuk ka afat kohor dhe asnjë datë fikse se kur duhet të hartohet ky raport?

Peter Stano: Kur flisni për afatet kohore, e vetmja gjë që mund të them është që Shqipëria nuk ka kohë për të humbur. Pra ajo që pritet nga Shqipëria është dorëzimi i të gjitha pritshmërive që janë formuluar së fundmi në raport-progres, sa më shpejt të jetë e mundur. Sepse kjo është në interesin e popullit shqiptar dhe në interesin e vetë Shqipërisë. Ne si Komision fokusohemi vetëm tek përmbushja. Ne do të bëjmë hapat apo rekomandimet e duhura vetëm pasi të shohim përmbushjen. Dhe përveç kësaj, nuk është vetëm Komisioni Evropian ai i cili po vëzhgon performancën e Shqipërisë në rrugën e saj, në mënyrë që të përmbushë këto prishtshmëri dhe këto prioritete, por janë edhe vendet anëtare ato që do të vendosin në fund. Pra është Bashkimi Evropian që po vëzhgon përformancën e Shqipërisë dhe vendimet do të merren bazuar në këtë perfomancë.

Pergatiti: ERNEST BUNGURI

Top Channel