Dalipi: Ja ku çalon ligji për mediat

20/11/2012 20:20

Për të folur në lidhje me zhvillimet e sotme në komisionin e medias, i ftuar në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë deputeti i PS Alfred Dalipi, i cili iu përgjigj pyetjeve të gazetarit Ilir Paço.

Paço: Zoti Dalipi, ju akuzoni mazhorancën se ka ndryshuar përbërjen e grupit të ekspertëve, si dhe pse ka ndodhur kjo?

Dalipi: Realisht nuk është se ne akuzojmë, ne kemi mirëpritur çdo mendim të ekspertëve të mediave, kur kemi në dorë një ligj që është trajtuar më gjatë në historinë e pluralizimit. Ka 7 vjet, ka marrë ekspertizën më të madhe nga ndërkombëtarët dhe sot duam t’i japim jetë rregullimit të marrëdhënieve të mediave, kalimin në formatin dixhital. Kemi mirëpritur çdo lloj kontributi të ekspertëve, pavarësisht se s’kanë qenë të mandatuar nga komisioni. Ne kërkuam pak më shumë ekspertizë se ajo që është mandatuar. Ne kërkojmë opinionin e ekspertëve të fushës numërike/dixhitale, jo atë të njerëzve që s’kanë eksperiencë fare në media.

Paço: Nëse mazhoranca nuk tërhiqet nga ky vendim, cilat janë rreziqet apo pasojat që sjell ai? Si mund të cënohen mediat?

Dalipi:
Rreziqet dhe pasojat janë se ne çdo vit marrim raportin që na penalizon. Morëm herën e fundit raportin që na penalizoi për marrëdhëniet qeveri-media. Ligji është bllokuar në disa pika. Ligji bllokohet në pikat ku ka të bëjë me KKRT-në. Kështu siç është, ky ligj s’mund të jetë në përputhje me rekomandimet e ndërkombëtarëve. Mazhoranca ka paragjykuar marrëdhëniet me opozitën dhe parimin e dakordësisë me të.

Paço:
Çfarë defektesh të tjera paraqet ky ligj në vazhdën e debateve të forta që kanë shoqëruar disa herë komisionin e mediave gjatë shqyrtimit të tij?

Dalipi:
Shqipëria do të dënohet shumë nga një ligj që nuk gjen konsensusin. Do cënohet nga një ligj shumë i keq, që është hartuar nga njerëz që janë vetëm në kontakt me mazhorancën. Kështu nuk mund të arrihet një produkt i mirë. Mund të ndodhë si me RTSH-në që ka një drejtor që i ka mbaruar mandati prej një viti. Gjithashtu, kemi një KKRT anëtarëve të të cilës u ka mbaruar mandati.

Paço: Sa rrezikohet të cënohet pavarësia e mediave nga një ligj jo i mirë?

Dalipi: Në 2015-ën Shqipëria mund të ngelet pa programe televizive sepse në mungesë të ligjit do jetë një vendimmarrje e BE-së dhe jo e institucioneve të Shqipërisë. 2015-a do të jetë një tra i ulur për këdo që nuk përmbush rekomandimet e BE-së.

Top Channel