Rama: Arsimi, jo privatizim pa kriter

15/11/2012 00:00

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka drejtuar pasditen e së enjtes një tryezë për arsimin, duke e vënë theksin në veçanti tek arsimi i lartë.

Gjatë fjalës së tij Rama e ka vlerësuar arsimin si një prioritet në programet e opozitës, por ka theksuar se ky sektor kërkon edhe një kontroll rigoroz.

“Arsimi i lartë është një e mirë private. Ata që marrin arsimin e lartë investojnë për veten më mirë”, ka deklaruar Rama, i cili më pas ka vënë në dukje pjesën private të sektorit, që sipas tij ka dalë jashtë kontrollit.

“Dora e pakontrolluar e tregut ka sjellë edhe dëme në arsim. I prirur drejt fitimit, arsimi privat jep diploma pa vlerë”, ka theksuar Rama, i cili ka prezantuar edhe planin e PS për zgjidhjen e problemit:

“Ne jemi kundër liberalizimit pa kriter të arsimit privat. Ne synojmë të fusim të gjithë arsimin e lartë në një sistem akreditimi”, ka shtuar lideri i opozitës.

Një ditë më parë PS mbajti një tryezë analoge në qytetin e Vlorës, ku deputetja Valentina Leskaj dhe Ilir Beqja prezantuan pikat kryesore të programit që synon të nxjerrë arsimin nga kriza ku sipas tyre ka rënë.

Deputetja Leskaj tha ndër të tjera se problemi tek arsimi shqiptar qëndron tek cilësia dhe konkurrenca.

“Dy janë problemet themelore të lidhura dhe të ndërvarura nga njëra-tjetra: problemi i cilësisë dhe i konkurrencës. Unë javën e fundit kam vizituar disa shkolla të rrethit të Vlorës, kohë më parë kam vizituar disa shkolla në Elbasan e Shkodër. Do të thosha që në këtë situatë të mjerueshme që është infrastruktura e shkollave, sidomos në fshat, është vështirë të flasësh për cilësi në arsim. Besoj që një arsim cilësor ka nevojë për të paktën 3 elementë: infrastrukturën normale, mësmidhënien dhe tekstet”, tha Leskaj.

Shifrën prej 15 për qind të popullatës analfabete, zonja Leskaj e lidhi me faktin tjetër tronditës, se gati gjysma e familjeve shqiptare merr borxh për të jetuar.

Top Channel