PE, projekt/rezoluta për Shqipërinë

15/11/2012 00:00

Komiteti i jashtëm i PE debatoi ndryshimet e propozuara për rezolutën ndaj Shqipërisë. Megjithë mbështetjen për statusin kandidat nëse vendi përmbushë kushtet, eurodeputetët mbeten skeptikë për progresin e deritanishëm të Shqipërisë.

Vasilis Maragos, shefi i njësisë për Shqipërinë në KE: “Ne besojmë se Shqipëria ka bërë një progres shumë të mirë, veçanërisht për marrëveshjen politike të nëntorit të kaluar, zbatimi i së cilës është vënë në binarë përgjatë vitit, sikundër dhe për disa reforma të tjera siç kemi thënë në raportin e progresit. Në këtë kuadër ne duam të japim një sinjal të fortë ndaj miqve tanë shqiptarë, sinjal mbështetës por dhe inkurajues për reformat e mëtejshme, sepse me të vërtetë çështja e zbatimit është thelbësore për përparimin e Shqipërisë në integrimin europian”.

Eduard Kukan, kreu i Delegacionit për Ballkanin në PE: “Do t’ia vlente të diskutonim pak më shumë se çfarë lloj progresi ekzaktësisht është arritur ndershmërisht e në mënyrë objektive nga Shqipëria? E këtu nuk po ofroj asnjë zgjidhje përfundimtare, sepse është “progres i limituar” ose “progres”. Përsa i takon amendamenteve të kompromisit, fjala kyçe është “përmbushja”, përmbushja e reformave kyçe të mbetura. Miratimi dhe zbatimi. Kjo duhet të jetë gjuha që ne duhet të përdorim në këtë rezolutë për të gjitha paragrafet. Për amendamentin mbi bashkëpunimin e shumicës qeverisëse e opozitës që përmirësuan klimën politike, bie dakort me të, por dua të ndaj me ju se unë personalisht dua më shumë prova të forta çfarë do të më ndihmonte për të kapërcyer skepticizmin tim se kjo është me të vërtetë situata në Shqipëri. Sigurisht që është shumë e rëndësishme sesi Shqipëria do merret me zgjedhjet e radhës vitin e ardhshëm, për mënyrën se si do të mbahen dhe se si do të shkojë proçesi i numërimit në vijim të këtyre zgjedhjeve. Dua t’u referohem dy amendamenteve që kam shtuar vetë. I pari për ngjarjen e 21 janarit. Unë mendoj se është e rëndësishme për Shqipërinë dhe qytetarët e saj që kjo ngjarje të hetohet në mënyrë të duhur e të pavarur dhe që një proçes i besueshëm gjykimi të fillojë. Mosbërja e kësaj, nuk mendoj se do të jetë e mirë për shoqërinë në Shqipëri. Së dyti për amendamentin 133 të cilin e propozova pas ndjekjes në mënyrë shumë intensive të grevës së ish të burgosurëve politik, e dy prej tyre i vunë zjarrin vetes”.

Kristian Vigenin, eurodeputet bullgar, S&D: “Nuk do të ishte e ndershme të fajësonim vetëm opozitën për mosvotimin e këtyre ligjeve, sepse kjo çështje i takon dhe qeverisë, maxhorancës dhe është e rëndësishme që maxhoranca të kuptojë rëndësinë e këtyre ligjeve dhe të hapave që duhen ndërmarrë në mënyrë që dhe ata të bëjnë lëshimet e nevojshme. Nëse ato ligje nuk miratohen, vendi nuk mund të shpresojë të marrë statusin kandidat tani. Mundësia është që statusi të mos jepet edhe  nëse ato tre ligje miratohen, por së paku do kishte një shanc të mirë. Ka vende anëtare që sugjerojnë se nuk duhet të ketë asnjë lëvizje për dhënien e statusit kandidat deri në zgjedhjet e ardhshme”.

Boris Zala, eurodeputet sllovak, S&D: “Raporti bën të qartë se mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare do të jetë kritike për proçesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe test i rëndësishëm për pjekurinë politike të Shqipërisë. Përtej kësaj, Shqipëria përballet me sfida të mëdha në përafrimin me standartet europiane, sidomos për sundimin e ligjit, integritetin e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, me cilësinë e administratës publike, garantimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave sociale, apo për mbrojtjen e mjedisit”.
 
Nikolaos Chountis, raportues për Shqipërinë në PE: “Të mos mendojmë se situata në Shqipëri është stabilizuar plotësisht. Duhet të ruhet presioni dhe inkurajimi në këtë drejtim. Ka kushte që ende duhen plotësuar e reforma që ende duhen bërë dhe të gjitha forcat politike në Shqipëri duhet të punojnë për këtë qëllim. Amendamentet e zotit Kukan, që nuk përfshihen në kompromise, kanë gjithë mbështetjen time, pasi për amendamentin 74, po, mendoj se duhet të ketë një hetim të ngjarjes së janarit dhe po kështu amendamenti 133 për ish-të burgosurit politikë, bie dakort se duhet të përfshihet në listë, edhe pse nuk është amendament kompromisi”.

Të gjelbrit ngritën shqetësimin e importit dhe menaxhimit të plehrave, veçanërisht për mbetjet toksike, madje eurodeputetja hollandeze Cornelisen e konsideroi të pakuptimtë amendamentin mbështetës për qeverinë të eurodeputetes Doris Pack, e cila nuk ishte e pranishme në debat.

Marije Cornelissen, eurodepuetete hollandeze, të gjelbrit: Një pyetje për PPE-në, zotin Kukan dhe për zonjën Pack, ju thatë se doni të shtoni mbështetjen ndaj zbatimit të planit kombëtar për menaxhimin e plehrave dhe nuk arrij vërtet ta imagjinoj se përse duhet shtuar kjo, kur ky është një problem i madh në Shqipëri. Atje ka mbetje toksike që importohen dhe përbëjnë problem të madh për mjedisin”.

Vasilis Maragos: “Mendoj se është e rëndësishme nevoja që të adresohet kjo çështje, jo vetëm në aspektin e importeve që është pjesë e problemit, por edhe në kuptimin e garantimit të menaxhimit të duhur të mbeturinave. Kjo është një çështje që ne e kemi ngritur shpesh në programet bilaterale të asistencës sonë me Shqipërinë”.

Komiteti i jashtëm parashikon votimin e amendamenteve më 22 nëntor dhe rezoluta për Shqipërinë votohet në mes të dhjetorit në seancë plenare.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel