Nuk votohen ligjet e integrimit

15/11/2012 00:00

Asnjë surprizë nuk solli edhe seanca e fundit në kalendarin e Parlamentit përpara datës 20 nëntor, kur Komisioni Europian ka mundësinë e fundit t’i raportojë vendeve anëtare të BE-së vlerësimet e tij për reformat.

Asnjë nga tre aktet që kërkojnë shumicë të cilësuar, ai për Gjykatën e Larte, për nënpunësin civil dhe reforma parlamentare nuk u hodhën për votim, pasi nga debati mes kryeministrit Berisha dhe kreut të grupit të opozitës Ruçi, nuk pati asnjë ndryshim qëndrimi.

“T’u thuash qytetarëve të këtij vendi dhe shqiptarëve kudo që janë se ligjet qëndrojnë, pavarësisht standarteve të shkëlqyera, në sirtaret e Parlamentit sepse kryetari i opozitës u thotë deputetëve të mos i votojnë, kjo është më absurdja”, deklaroi Berisha.

“Ti fshihesh sepse s’ke çfarë t’i thuash Brukselit. Pasi problemet e vërteta janë zgjedhjet, ekonomia, drejtësia, të cilat ti nuk i plotësove dhe tani ju kërkoni alibinë, që duhet ta gjeni tek opozita dhe Edi Rama”, replikoi Ruçi.

“Nëse dëshironi, nga sot deri në datën 20, si kryeministër jam i gatshëm të thërras në çdo kohë Parlamentin për të votuar ato ligje”, vijoi Berisha.

“Nuk mund të votohet ligji për Gjykatën e Lartë, kur nuk pranohet vendimi i gjykatës për qarkun e Fierit”, theksoi më tej Ruçi.

Kreu i grupit të socialistëve deklaroi në Parlament se qëndrimi i Berishës lidhet me zgjedhejt e ardhshme. Ai solli dokumenta që fiktivisht sipas tij paraqesin lëvizje të qytetarëve në gjendjet civile të disa qyteteve të vendit, ku qytetet më të vogla paradoksalisht kanë rritjen më të madhe të numrit të banorëve.

Me këto lëvizje, tha Ruçi, po synohet të merren tre mandate deputetësh në tavolinë, t’i shtohet qarkut të Kukësit dhe t’i hiqet nga një mandat Beratit dhe Fierit.

Këto dhe emërimet e fundit në Ministrinë e Brendshme, vijoi Ruçi, bien ndesh me kushtin real të integrimit për Shqipërinë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

“Pasi dërgon njerëzit e tij gjithandej, kryeministri jep garancinë se do garantojë zgjedhje të lira e demokratike. Kjo është garancia? Zgjedhje do ketë dhe ne do jemi garancia se ti nuk do t’i vjedhësh dhe ne do vijmë në pushtet”, theksoi Ruçi. “Po, po. Prisni 2023-shin”, ia ktheu Berisha.

Përkundër ndarjes së thellë për Fierin dhe zgjedhjet, të dyja palët votuan bashkarisht ndryshimin e numërtimin të legjislaturave.

Me 109 vota pro, një kundër dhe dy abstenim, Parlamenti i Shqipërisë vendosi për ndarjen e numërtimit të legjislaturave sipas periudhave, që kur Shqipëria pati për herë të parë organin e saj përfaqësues të dalë nga Kongresi i Lushnjes më 1920. Deri tani, numërimi i legjislaturave niste nga viti 1946.

OSBE: Zhgënjim nëse nuk miratohen ligjet

Pak para nisjes se debatit ne Parlament per miratimin e ligjeve me 3/5-at, kreu OSBE-së Eugen Wollfarth bëri apelin e fundin për votimin e tyre.


“Do të ishte një zhgënjim, së pari për vetë shqiptarët, sepse rruga e integrimit evropian është një synim kombëtar. Prandaj, do të ftoja që të gjitha reformat të ndërmerreshin në kohën e duhur”, deklaroi Wollfarth.

Sipas ambasadorit të OSBE-se, Komisioni Evropian e ka vënë theksin te këto tri ligje dhe ai tha se u bashkohet atyre që ftojnë që koha të përdoret më së miri dhe vendimet të merren në kohën e duhur.

I pyetur me çfarë mund të përballet Shqipëria, nëse sot nuk miratohen tri projektligjet, ambasadori OSBE-së deklaroi se: “Viti i ardhshëm është vit zgjedhjesh; më pas, me sa duket, do të duhet më shumë kohë për të bërë përpara në rrugën e integrimit evropian. Kjo mund të thotë, gjithashtu, që koha që po kalon nuk investohet siç duhet në procesin e reformave. Shqipëria do të ketë një të ardhme pavarësisht asaj që ndodh sot, por kjo e ardhme do të jetë më e shpejtë dhe më e mirë, nëse vendimet e duhura merren sot”, ka theksuar Wollfarth.

Top Channel