Kryeministri Sali Berisha i kërkon krerëve të bashkive të hartojnë me urgjencë planet urbanistike. Në takimin kombëtar për Fuqizimin e Autoriteteve Vendore, kreu i qeverisë, pasi e konsideroi Shqipërinë si vendin e krahasueshëm vetëm me Kinën për ritmet e larta të urbanizimit, tha se duhet t’i jepet fund zhvillimit kaotik të vendit.

Kryeministri tha se presioni i lëvizjeve demografike pritet të jetë i lartë pasi 46% e popullsisë vijon ende të banojë në zonat rurale dhe prirja është lëvizja e tyre drejt zonave urbane.

Për të shmangur kaosin urbanistik të këtyre 20 viteve, Berisha tha se bashkitë e mëdha duhet t’i paraprijnë. “Unë e di që keni buxhete të pakta, por investoini ato tek hartimi i planeve urbanistike”, deklaroi Berisha.

Kreu i qeverisë tha se duhen orientuar lëvizjet e popullsisë drejt bregdetit, pasi për shkaqe historike shqiptarët kane qenë të prirur drejt maleve.

“90 % e bregdetit është e pazhfrytëzuar, të bëjmë planin e urbanizimit të bregdetit, ta kthejmë kombin me sytë nga deti”, tha Berisha.

Ndërsa ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, përveç bashkive i apeloi qeverisë, për më shumë fonde dhe autonomi për pushtetin vendor.

“Unë dua të nxis kryetarët e bashkive që të angazhohen më shumë me diskutimin sesi të planifikojnë dhe administrojnë bashkitë e tyre dhe gjithashtu nxis qeverinë që t’i lejojë qeverisjes vendore më shumë autoritet dhe burime, në mënyrë që t’i krijojnë dhe t’i zbatojnë këto plane”, deklaroi Arvizu.

Takimi ishte organizuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe i mbështetur nga USAID.

Top Channel