Të enjten afati i fundit për ligjet

12/11/2012 00:00

Të enjten është afati i fundit për votimin e tre projektligjeve për të marrë statusin e vendit kandidat.
Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje këtë të hënë sërish opozitës të
bashkojë votat për këto ligje, pasi në 20 nëntor, Komisioni Europian do
të hartojë raportin nëse Shqipëria i përmbush ose jo kushtet.

“Ditën e enjte është afati i fundit. Le të ulen së bashku përfaqësues të grupeve të komisioneve dhe në prag të këtij përvjetori të madh, por edhe në prag të një vendimi që pritet me datën 20 nga Komisioni Europian, të përmbushim detyrimin tonë ndaj çdo qytetari shqiptar”, deklaroi Berisha.

Ai u shpreh se, zoti Rama i personalizon gjërat dhe sipas tij ai bën shumë gabim, pasi personalizimi nuk shërben aspak. “Ai beson se nuk duhet të marrë Shqipëria statusin, sepse në këtë mënyrë fiton shumë kryeministri dhe qeveria. Jo, në këtë mënyrë fiton çdo qytetar shqiptar”, theksoi Berisha.

Sipas tij, shqiptarët dinë të dallojnë kur shohin që klasa politike voton së bashku. “Kreditet ata i japin për të gjitha forcat poltike. Nuk krijohet kurrë kapital politik duke dëmtuar interesin jetik kombëtar. Me asnjë lloj zhurme nuk mund ta errësosh termin e pallogaritshëm që i bën vendit duke mos votuar tre ligjet”, tha Berisha, i cili përsëriti formulën për zgjidhjen e “Fierit”.

“Ka një rrugë të shkurtër, plotësisht ligjore, plotësisht politike, plotësisht kushtetuese, rruga e mocionit. Urdhëro të bëjmë mocionin në të gjitha komunat dhe bashkitë dhe jo të mbajmë vendin peng”, vijoi kryeministri.

Top Channel