Profesioni i rrezikshëm i këmbyesve të parave

12/11/2012 17:55

Profesioni i kambistit, ose ai i këmbyesit të parave, është një prej më të rrezikuarve në vendin tonë.

Ndër vite, ka pasur raste të shumta jo vetëm grabitje, por edhe grabitje me dhunë apo vrasje.

Emisioni i “Pasdites“ në “Top-Channel“, trajtoi ditën e hënë pikërisht rrezikshmërinë dhe problematikën e ushtrimit të këtij profesioni në vendin tonë.

Duke nisur nga rasti i një kambisti të licensuar, i grabitur tre herë gjatë aktivitetit të tij, “Pasdite“ trajtoi në thellësi problemit me dy të ftuar, shefin e seksionit të krimeve kundër jetës dhe shëndetit në Policinë e Tiranës, Luan Hamzallarin dhe avokaten Vjollca Pustina, e cila merret me mbrojtjen e shumë grabitësve, midis të cilëve edhe të vrasësit serial Viktor Gushi.

“Nuk do të thoja se është një profesion veçanërisht i rrezukshëm dhe ndër vitet e fundit, falë masave të marra, ai është bërë gjithmonë e më i sigurt“, nisi debatin e tij në studio Hamzallari. “Në rrethin e Tiranës, kemi evidentuar vetëm dy raste gjatë 2012-s. Në 15 janar 2012 u grabit një exchange, një shumë e pakonsiderueshme dhe në korrik, një kambist u grabit kur ishte duke shkuar në banesë nga dy persona të armatosur. Janë dy ngjarje të rënda, por po hetohen dhe shumë shpejt pritet të kapen edhe autorët, por nuk mund t’iu them më shumë për efekt të hetimit”.

“Njerëzit që ushtrojnë një aktivitet privat është mirë të sigurohen. Policia e Tiranës ka edhe polici private që ofron këto siguri, ndërsa kur ndodh në shtëpi, ju asnjë grabitës nuk ka hyrë pa një informacion në banesën e kambistit”, vazhdoi debatin avokatja Pustina, një njohëse e mirë e këtyre rasteve. “Me siguri, do të jenë njerëz të afërt që thonë se në shtëpinë e filanit ka lekë, madje ka ndodhur edhe të ketë raste që kanë hyrë vetë njerëz familjarë për të grabitur. Profili? Njeriu nuk lind grabitës, por po e ushtrove këtë profesion që në moshë të vogël, është pothuajse e sigurt që do ta vazhdosh edhe më vonë. Grabitësit janë përgjithësisht njerëz të dhunshëm, të cilët vijnë nga shtesa të ulëta të popullsisë”.

E pyetur mbi atë që quhet ligjërisht si “vjedhje me dhunë”, Pustina shtoi: “Si vepër penale, grabitje me dhunë është edhe kur një hajdut del në rrugë dhe i tërheq një vajze çantën apo kur i këput varësen. Këto janë raste të shumta fatkeqësisht. Vepra është shumë e rëndë, masa e dënimit gjithashtu, por këto krime i kryejnë më shumë personat nën 18 vjeç, që përftiojnë nga ligji dhe nuk marrin dënimin 5-15 vjet burg, por një masë shumë më të ulët. Fatkeqësisht, shkollat e edukimit dhe puna me të miturit mungon, duke bërë që shumë prej tyre, të shtyrë edhe nga gjendja ekonomike, të rikthehen sërisht në vjedhje për të jetuar”.

Zonja Pustina, në studion e “Pasdites”, zbuloi edhe detaje nga mbrojtja që po i bën vrasësit serial Viktor Gushi, përgjegjës për 15 vepra penale, midis të cilave edhe vrajen e një argjendari dhe një punonjëse banke në Tiranë.

“Viktorit i është bërë një akt psiqik dhe ka dalë në rregull mendërisht. Ai ka pasur një sistem shumë të sofistikuar grabitje, duke realizuar të gjithë grabitjen në tre minuta. Kur për një arsye të kundërshtimit të viktimës ai vonohej, nervozohej dhe humbiste kontrollin. Vrasjet janë bërë në këtë kuadër. Ai nuk ka hyrë për të vrarë, por për të vjedhur. Viktori thotë se është penduar për ato që ka bërë, por kjo ka shumë pak rëndësi tani”, deklaroi avokatja mbrojtëse.

Top Channel