Vrasja e biznesmenit në Fier

11/11/2012 00:00

Një 47-vjeçar biznesmen në qytetin e Fierit është ekzekutuar me armë zjarri automatike shumë pak metra larg komisariatit të policisë së qytetit.

Viktima Naim Suli është qëlluar me breshëri sapo ka zbritur nga automjeti i tij me targa të kryeqytetit në oborrin e shtëpisë së tij, një vilë tre katëshe.

Sapo është dëgjuar breshëria e armës dhjetra forca policie kanë vrapuar në vendin e ngjarjes, ndërkohë që autorët janë larguar me shpejtësi.

Menjëherë policia ka nisur operacionin e kërkimit për të zbardhur këtë ngjarje. Shumë postoblloqe janë ngritur nga forcat speciale në të gjitha rruget e qytetit të Fierit për të gjetur autorët, ndërsa janë marrë edhe të dhënat e para nga dëshmitarët që kanë parë ngjarjen e rëndë.

Vrasja ka ndodhur shumë pranë bulevardit kryesor të qytetit në një moment kur në rrugë kishte ende lëvizje. Policia ka gjetur shumë gëzhoja kallashnikovi. Viktima ka humbur jetën menjëherë nga plumbat.

Policia dyshon për konflikte pronësie. Viktima njihej si biznesmen në qytet dhe merrej me tregtinë e naftës.

Policia identifikon autorët e krimit

Një ditë pas ekzekutimit të biznesmenit fierak Naim Suli, policia fierake nuk ka arritur ende të arrestojë autorët që sipas saj janë të identifikuar. Në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë, blutë kanë gjetur një automjet të braktisur në fshatin Mbrostar Ura Fier, rreth 6 km larg vendit të ngjarjes.

Automjeti është tip Volvo me ngjyrë gri, pa targa. Dyshohet se ky mjet është përdorur nga autorët që sipas policisë janë dy. Pas ekzekutimit të shtetasit 46-vjeçar Suli, ata janë larguar nëpërmejt rrugicave të lagjes “Liri Gero”.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 21.00 të mbrëmjes së shtunë. Biznesmeni Suli, me status beqar, është qëlluar me armë zjarri automatik duke hyrë për në banesën e tij. Ai ka qenë duke zbritur nga autovetura me targa TR 7835 C që drejtonte, kur është përballur me breshërinë e automatikut. Në vendnin e ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 11 gëzhoja fishekësh të armës që qëlloi mbi trupin e viktimës.

46-vjeçari ka pësuar vdekje të menjëhershme për shkak të plagëve të rënda të marra në gjithë trupin dhe në organe jetësore. Nga hetimet paraprake policia ka arritur të identifikojë dy personat e dyshuar. Sipas policisë, autorët e dyshuar janë banorë të lagjes të cilët kanë pasur me viktimën një konflikt të hershëm pronësie.

Por burimet nuk japin më shumë detaje rreth konfliktit, pasi janë duke siguruar provat që vërtetojnë motivin e dyshuar të ngjarjes. Viktima së bashku me tre vellezërit e tij, ishte bashkëpronar i një pike shitjeje karburantesh.

Fier, identifikohen autorët e vrasjes

Janë identifikuar autorët e vrasjes së biznesmenit Naim Suli. Policia ka shpallur në kërkim Gëzim Sulon dhe djemtë e tij, Ervis dhe Endrit Sulon, për vrasjen e tij. Policia kishte vënë në dispozicion 500 mijë lekë për gjetjen e autorëve të vrasjes, ku mbeti i vdekur biznesmeni Naim Suli, i cili u qëllua me automatik në hyrje të banesës së tij.

Top Channel