Mos po kërkojmë shumë nga vetja në 100 vjet?

11/11/2012 00:00

Nga Arben Manaj – Përvjetorët si ky i 100-i janë një rast ekselent për reflektim dhe pozicionim, për gjetjen e koordinatave të sakta, si dhe pikën e referimit për çdo arritje, dështim dhe perspektive realiste se ku mund të mbërrijë kombi në 100 vitet e ardhshëm.

Askush nuk mund të bëjë Nostradamin, por janë të gjitha shanset që Shqipëria dhe kombi shqiptar të jetë i vendosur në një pole position shumë më dinjitoz dhe shpresëdhënës në familjen e Kombeve Europiane, krahasuar me pikëfillimin e 1912-s.

Janë të shumtë historianët, politologët, sociologët dhe opinionistët që kanë ofruar këndvështrimet, konstatimet dhe kontributet e tyre në bërjen e një skaneri sa më të plotë të shtetit të parë shqiptar, me elementë të shumtë antishteti, padyshim.

Shumë nga mendimet janë shumë të sakta, të gjetura dhe konstruktive me shqetësimin e ndjerë dhe legjitim për një shtet dhe një vend më pak të ndryshëm se ç’është sot dhe se shumica e shteteve të civilizuara të kontinentit, që kontribuojnë prej shekujsh për civilizimin europian dhe atë perëndimor në përgjithësi.

Dhe pikërisht te fjala shekullor, do doja ta gjeja spunton time. Shpesh, nisur nga dëshira e flaktë për të kapërcyer shekujt dhe etja për t’u barazuar sa më shpejt me ata që janë në avangardë të prurjeve dhe kontributeve për këtë civilizim, ne, shpesh, falshëm, harrojmë ose rrëmbehemi në injorimin e faktit se kemi vetëm 100 vjet shtet në fund të fundit, dhe as më pak e as më shumë.

Nëse do të shikojmë 1912-n, nga aq sa mund të analizojmë nga faktet në dispozicion, të pakta gjithsesi, dhe pasqyra e Shqipërisë së fillimshekullit të kaluar, Shqipëria e Ismail Qemalit, ishte një “ground zero” në thuajse të gjithë përbërësit e një shteti dhe një shoqërie e dalë ose në tentativë e sipër, për të dalë nga një natë e gjatë otomane.

Një provincë periferike, me një kujdes minimal nga Porta e Lartë dhe mbi të gjitha, në një format tribal më shumë, sesa të një shoqërie me struktura të ngritura sociale, politike apo institucionale.

Pa folur për nivelin e përgjithshëm kulturor dhe arsimor, ekonomik apo mentalitetin që mbizotëronte në shumicën e qytezave të pakta dhe fshatrave me shumicë të territorit shqiptar.

Starti nuk ishte ideali, por ai që pritej normalisht në një shoqëri me karakteristika të atilla, si ajo shqiptare, ashtu siç ishin të pritshme edhe veprimet që pasuan në dekadat në vijim.

Pa dashur të hyj në hollësi të etapave, revolucioneve apo kundër-revolucioneve shqiptare, formave institucionale të shtetit , monarkike apo republikane, regjimeve dhe aksidenteve historike dhe politike të aplikuara apo edhe të imponuara apo vetimponuara deri diku, në një vend dhe ndaj një populli në 100-vjetorin e parë të shtetformimit të tij, do parapëlqeja të mendoja se arritjet tona si komb, edhe pse mund të mos jenë më të arrirat, të paktën, janë të mjaftueshme dhe të admirueshme deri-diku, me aq sa mund të arrijë një komb në 100 vjet.

Dhe këtë deduksion e arrij edhe duke përdorur sistemin e referimit me fqinjët, por edhe më gjerë.

Të mos harrojmë disa fakte të rëndësishme në trajtimet krahasuese. Shqipëria e përpara 100 vjetëve nuk mund të krahasohej në asnjë drejtim me asnjë nga vendet e tjera europiane po se po, por edhe me asnjë nga fqinjët.

Edhe pse përkëdhelemi lehtshëm për arritjet tona ndër shekuj, arritjet e shqiptarëve në këtë 100-vjetor të parë, janë realisht dhe krenarisht më të spikaturat si komb në përgjithësi, se me çdo shekull paraardhës.

Kemi qenë, të kujtojmë, një provincë rebele part-time, por edhe e nënshtruar në shumicën e kohës së sundimit të çdo perandorie. Nuk kemi kaluar ato etapa revolucionesh të mëdha që përcaktuan formën e sotme të kontinentit europian, dhe as lëvizjet politike apo kulturore me karakter rilindës dhe iluminist, që definuan Europën dhe që i studiojmë sot nëpër shkolla.

Kemi qenë të vegjël në numër dhe të papërfillshëm, joprezent dhe pa sponsor në tavolinat, ku luhej pokeri gjeografik dhe lojërat e mëdha të fuqive të mëdha të çdo kohe dhe epoke, por sërish të mos harrojmë, se as nuk jemi asimiluar sa të tjerët dhe kemi mbijetuar si komb, me gjuhën tonë më së paku dhe traditat dhe tërë ato tipare dhe veçori, që përbëjnë dhe përcaktojnë një komb si definicion.

100-vjetorin tonë të parë nuk e filluam nga i njëjti start si kombet e tjera, të cilat ishin mijëra kilometra përpara nesh në çdo aspekt të zhvillimit.

Dhe këto 100 vjet, them se kemi arritur shumë edhe pse nuk jemi perfekt, madje kemi shumë mangësira dhe defekte, po kush nuk ka, në fund të fundit.

Ne s’jemi dhe s’mund të pretendojmë të jemi Anglia, as Franca, as Italia po se po, madje as Greqia. Ndaj duhet të jemi realistë dhe krenarë për mbijetesën tonë unikale në këtë shekull dhe mbi të gjitha, krenarë se kemi tashmë tërësinë tonë tokësore.

Kufijtë e Shqipërisë dhe kombit tashmë janë të përcaktuara përfundimisht, në mos për rivendikim, të paktën nuk kemi për të humbur më shumë se ç’kemi humbur më parë, deri përpara 1945-s.

Jemi një komb i ribashkuar në shumë aspekte edhe pse jo formalisht, dhe si të tillë, jemi ekstra më të fortë, me të cilin nuk mund të abuzohet dhe të mos pyetet më si dikur.

Normal që nuk jemi sot perfekt në demokraci, dhe s’ka sesi, në vetëm 20 vjet, dhe s’kemi pasur kurrë në këto 100 vjet një jetëgjatësi kaq të madhe demokratike dhe më të pozicionuar aty ku duhet dhe në korsinë e duhur për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të imunizuar nga eksperimente historike dhe sistemesh, si dikur.

Besoj se jemi sot në të njëjtën korsi zhvillimi si tërë kontinenti, çka është oguri më i mirë për një 100 vjetësh të dytë, shumë më impresionues se i pari.

Nëse kombet e tjera kanë luksin e distancës së krijuar, dhe dizavantazhin e tempit më të relaksuar dhe të ngadaltë, ne kemi fatin dhe shanset për sprint, të pjesëtarit me moshën më të re në kontinent në çdo aspekt zhvillimor.

Shumë nga defektet dhe imperfeksionet tona kanë qenë rezultat i nivelit tonë kulturor në përgjithësi, që ka përcaktuar së shumti sjelljen tonë si komb.

Arsimimi mbetet sfida më e madhe në këtë shekull të ri. Niveli ynë kulturor dhe arsimor, i diktuar edhe nga historia, por edhe nga vetizolimet tona të pafalshme, na kanë dizavantazhuar së tepërmi në kthjelltësinë tonë kombëtare për të qenë në një hap me bashkëkontinentasit tanë, që na kanë mundur dhe sunduar, ta pranojmë, mbi të gjitha intelektualisht.

Ndoshta ndonjë vend tjetër, mund të mos ketë arritur në shekullin e parë të shtetformimit të tij, aq sa mund të ketë arritur fundja Shqipëria, ndoshta edhe po, dhe kjo qasje krahasuese mund të ishte një ide e mirë për gazetarët dhe mediat.

Shqipëria nuk është Anglia e universiteteve mijëravjeçare dhe Mbretërive po aq të lashta, as Italia, djep i kulturës dhe civilizimit botëror, as Çekia me një Kështjellë-Rezidencë njëmijëvjeçare të qeverisë së parë në vend.

Shqipëria është Shqipëria e Ismail Qemalit të 1912-s, dhe sot Shqipëria e integruar në Europë dhe institucionet e saj, më e pasur se kurrë më parë, materialisht, intelektualisht dhe shpirtërisht.

Nëse ka pasur ndonjëherë kombi më shumë shanse zhvillimi dhe prosperiteti, janë pikërisht ditët tona.

Aq sa është mirë të matemi me të tjerët, është po aq e rëndësishme të matemi edhe me vetveten dhe të ngjashmit, për të gjetur forcën, shpresën, motivimin dhe krenarinë, se kemi bërë shumë dhe mund të bëjmë 100 herë më shumë deri në 2112-n, fat që fatkeqësisht nuk do ta kemi ta shikojmë dhe përjetojmë as unë dhe asnjëri nga ju që po e lexon këtë shkrim, por nga lart do ta vlerësojmë siç ndoshta e vlerëson Ati i Shtetit të Parë shqiptar, Ismail Qemali, nga aty ku na shikon, Shqipërinë, pritshmërisht ndryshe, dhe më të mirë se ajo që Ai la pas.

Top Channel