Ngrohje në shkolla me materiale të riciklueshme

10/11/2012 00:00

Brenda një viti në shkollat e arsimit parauniversitar, në çerdhe e
kopshte do të ketë ngrohje qendrore. Por sistemi i ngrohjes në këtë rast
nuk do të jetë as me naftë e as me gaz. Një projekt i fundit i Bashkisë
së Tiranës, i cili ka nisur të mendohet për t’u zbatuar në vitin e ri
shkollor, 2013-2014, do të mundësojë ngrohjen në institucionet arsimore,
por me materiale të riciklueshme.

Në rastin më të mirë, kjo lloj ngrohje njihet si ngrohje me material tallashi. Propozimi për këtë nismë është dhënë në fillim të vitit shkollor nga drejtoria e punëve të qytetit në Bashkinë e Tiranës.

Dje, kreu i bashkisë, Lulzim Basha, bëri një premtim pas premtimi se brenda një viti, ky lloj sistemi do të implementohet tërësisht në të gjithë sistemin arsimor.

Ndërkohë, disa nga çerdhet dhe kopshtet e Tiranës kanë bërë investime në restaurime, rehabilitime të sistemeve normale të ngrohjes, me kaldajë. Furnizimi me naftë për këto institucione bëhet nga Bashkia e Tiranës. Karburanti shpërndahet sipas grafikut të përcaktuar nga drejtoria nr. 3 e qytetit dhe në bazë së sasisë së naftës së shpërndarë, kopshtet dhe çerdhet mund të ngrohen vetëm 4 orë në ditë.

Ngrohja

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka theksuar se sistemi i ngrohjes, i cili po instalohet në të gjithë çerdhet, kopshtet dhe shkollat e Tiranës, do të ecë me ritme të shpejta, në mënyrë që i gjithë sistemi parashkollor dhe shkollor i qytetit të Tiranës të ketë 100% ngrohje, deri në fillimin e vjeshtës së vitit të ardhshëm. Në sistemin e ri të ngrohjes, karburanti do të zëvendësohet me materiale të riciklueshme.

“Ne po e bëjmë këtë investim të vonuar e të munguar, tërësisht me fondet e Bashkisë së Tiranës, po e bëjmë duke përdorur një teknologji, e cila mundëson ngrohjen e hapësirave parashkollore, çerdheve, kopshteve dhe shkollave, me një kosto sa gjysma e asaj që është përdorur deri më sot, duke zëvendësuar karburantin e djegshëm me materiale të riciklueshme (peletat) dhe në këtë mënyrë i shërbejmë edhe ambientit, por i shërbejmë edhe me një kosto më të ulët, duke përdorur me më shumë ‘nikoqirllëk’ paratë e taksapaguesve të kryeqytetit, duke siguruar këtë standard i cili duhej të ekzistonte prej kohësh në Tiranë dhe që është domosdoshmëri, kur flasim për Tiranën moderne dhe europiane, ambiente të ngrohura në të gjithë sistemin parashkollor dhe shkollor të qytetit të Tiranës”, theksoi Basha.

Rikonstruksioni

Me një investim prej rreth 10 milionë lekësh, ka nisur rikonstruksioni i çerdhes nr.15 të Tiranës. Projekti i rikonstruksionit tërësor të saj parashikon, ndër të tjera, edhe një shtesë, në mënyrë që të krijohen ambiente sa më të përshtatshme për fëmijët si dhe rritjen e kapaciteteve të tyre.

“Në çerdhen nr. 15 ku ndodhemi sot, do të nisë një rikonstruksion i cili në pjesë të veçanta mund të themi se do të ngërthejë të gjithë teknologjinë e ndërtimit të historisë së njerëzimit. Do të heqim kallamat me të cilët është bërë tavani, do t’i zëvendësojmë me teknologji moderne e të sigurt të ndërtimit dhe izolimit nga i ftohti dhe lagështira, do të ndryshojë tërësisht planimetria, për të bërë të mundur rritjen e kapacitetit nga 70 në 80 fëmijë si dhe do të përmirësohen 100% kushtet hidro-sanitare dhe e gjithë çerdhja do të shtrohet me parket”, tha kryebashkiaku Basha.

Top Channel