Berisha: Të votojmë ligjet me 3/5

09/11/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e së premtes një bashkëbisedim me gazetarët, ku ka ftuar opozitën socialiste që të votojnë së bashku në seancën e ardhshme parlamentare ligjet me 3/5, të kërkuara nga BE për integrimin.

“Mendja jonë është e fokusuar në tre ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, të kërkuara nga komisioneri Shtefan Fyle. Unë shpresoj se ditën e enjte këto ligje do të votohen. Do të ishte një përgjegjësi shumë e madhe, para qytetarëve dhe evropianëve, bllokimi apo votimi kundër i tre ligjeve të munguara”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri ka ftuar gjithashtu kryetarin e opozitës, Edi Rama, që të pranojë ofertën e bërë prej tij për të zgjidhur kontestin për qarkun e Fierit përmes një mocioni.

“Oferta ime synon të nxjerrë opozitën nga orbita bllokuese. Oferta ime do të ishte zgjidhja më e ndershme politike. Pretendimet se mocioni nuk ekziston si mundësi janë qesharake dhe një mashtrim i mirëfilltë që u bëhet qytetarëve”, ka thënë Berisha.

Kreu i qeverisë i ka dhënë garancinë e tij liderit të opozitës se, këshilltarët e djathtë do të jenë të pranishëm për të garantuar kuorumin e duhur për një mocion në çdo qark.

“Unë e siguroj zotin Rama se do të ushtrohet e drejta e mocionit, se anëtarët e këshillave të mazhorancës do të paraqiten në çdo takim të kërkuar për mocion, prandaj le ta shndërrojmë këtë nen në një mekanizëm që çertifikon të zgjedhurit e këshillit të qarkut”, ka nënvizuar Berisha.

Shefi i ekzekutivit shqiptar e ka cilësuar si absurd synimin e PS se mund të vendosë sipas tij dy standarte, një standart ku e fiton dhe një tjetër ku nuk e fiton kuorumin, si në Drenas e Divjakë.

“Nuk ka gjë më të paimagjinueshme që të përdorësh një pretekst të tillë para shqiptarëve. Kjo është një përpjekje e qartë për të bllokuar integrimin, por nuk ka përgjegjësi më të rëndë se kjo”, ka përfunduar Berisha.

Në përfundim të deklaratës së tij, i pyetur nga Top Channel lidhur me fondet e “Albpetrol”, Berisha ka vlerësuar se përfundimi me sukses i privatizimit të kësaj kompanie detyron qeverinë që çdo dollar që del nga ky proçes ta kthejë në mirësi për qytetarët shqiptarë.

“Ky është qëllimi im i palëkundur dhe do bëjmë gjithçka që ajo të kthehet në një levë të fuqishme të ndikimit direkt në jetën e qytetarëve shqiptarë. Asnjë lidhje nuk ka me zgjedhjet ky problem, sepse nëse u referohemi fondeve të mobilizuara këto vite, ato janë në interes të qytetarëve shqiptarë dhe shumë herë më të larta sesa këto që po flasim tani”, ka nënvizuar Berisha.

Më pas kreu i qeverisë i është përgjigjur interesit të TCH edhe në lidhje me çështjen e prokurorit të përgjithshëm, duke ia atribuar tërësisht presidentit të Republikës përgjegjësinë për emërimin e tij.

“A më mbetet mua e drejtë morale të imagjinoj se cili do ishte prokurori i përgjithshëm ideal për Sali Berishën? Jo, nuk harxhoj asnjë sekondë për të menduar këtë. Presidenti ka kompetencat e duhura. Kam besimin se kandidatura do të jetë, burrë apo grua, me aftësitë dhe integritetin e domosdoshëm”, ka nënvizuar Berisha.

Më tej, i pyetur nga gazetarët e tjerë, kryeministri ka folur për buxhetin e shtetit, i cili sipas tij do të jetë më i madhi në histori, si dhe për rritjen ekonomike, e cila sipas tij çdo vit ka rezultuar 2 ose 3 herë më e madhe se parashikimet e institucioneve ndërkombëtare.

“Buxheti do të jetë më i madhi në historinë e këtij vendi dhe kjo është përgjigjia më e qartë e performancës sonë. Përsa i përket rritjes ekonomike vjetore, ajo në secilin vit ka rezultuar të jetë 2 ose 3-fish i vlerave të shpallura nga institucionet ndërkombëtare. Jam i bindur se edhe ky vit do mbyllet me një vlerë të përafërt me atë të shpallur gjatë këtij viti”, ka thënë Berisha.

Ndërsa në lidhje me CEZ dhe mundësinë e qeverisë për të menaxhuar e vetme Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes nëse kompania çeke largohet, ai ka dhënë këtë përgjigje:

“Në rastin e CEZ, marrëdhënia është transparente. Analizat nuk janë vetëm të palës shqiptare edhe asaj çeke, por janë edhe të institucioneve ndërkombëtare. Gjithçka zhvillohet dhe do zhvillohet në përputhje me ligjet e vendit. Ka apo jo kapacitete qeveria shqiptare për administrimin e shpërndarjes së energjisë, unë gjykoj se po, duke u bazuar edhe tek treguesit. Megjithatë, humbjet janë të mëdha”.

Rama: Berisha meriton Guinness për kilometrazhin e rrenave

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, iu përgjigj në rrjetin social Tëitter deklaratave, që kryeministri Sali Berisha bëri në konferencën për shtyp.

“Kush e beson, se po ta donte vërtet statusin e kandidatit për Shqipërinë, kryeministri do mbante peng qarkun e Fierit, në shkelje të vendimit të gjykatës”, pyet lideri i opozitës.

Sipas tij, kryeministri mund të ndjehet mbi ligjin e mbi vendimet e gjykatës deri në qershor, po ne tha ai, nuk ia njohim si të drejtë këtë abuzim flagrant me pushtetin.

“Nuk ka zgjidhje politike mbi vendimin e formës së prerë të gjykatës dhe për këtë parim ne kemi pranuar edhe vendime skandaloze gjykatash…”, thekson Rama.

Sipas tij, në 100 vjet shqiptarët kanë dëgjuar rrena nga Sali Berisha, më shumë se nga të gjithë kryeministrat bashkë!

“Meriton Guinness për kilometrazhin e rrenave”, përfundon Rama.

Top Channel