Policia zgjidh 2299 konflikte të dobëta dhe pronësie

08/11/2012 00:00

Policia e Shtetit ka zgjidhur 2299 konflikte të dobëta dhe pronësie në
mbarë vendin. Të dhënat janë vetëm për muajin tetor 2012, ku pas
bashkëpunimeve me komunitetin dhe me pushtetin vendor, janë parandaluar
dhjetëra raste kriminaliteti.

“Në sajë të këtij angazhimi vetëm gjatë muajit tetor 2012, u menaxhuan dhe u zgjidhën nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, 2299 raste konfliktesh për motive të ndryshme. Punonjësit e policisë menaxhuan dhe zgjidhën, gjatë kësaj periudhe, 1592 raste konfliktesh të ndodhura për motive të dobëta dhe 707 raste konfliktesh për motive pronësie. Gjatë punës për zgjidhjen e konflikteve, veçanërisht të atyre për motive pronësie, një rëndësi të veçantë, Policia e Shtetit i kushton bashkëpunimit me strukturat e pushtetit vendor”, tha zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Tefik Sulejmani.

Sipas tij, krahas angazhimit për evidentimin e konflikteve të ndryshme në zonë dhe punës për zgjidhjen e tyre në rrugë ligjore, punonjësit e policisë kanë kryer një sërë detyrash në mbështetje të veprimtarisë së institucioneve të tjera shtetërore, si dhe personave juridikë e fizikë, në fushën e zbatimit të ligjit.

“Gjatë muajit tetor 2012 punonjësit e policisë, kanë kryer shërbime në 514 raste në mbështetje të zyrave përmbarimore, në 333 raste në mbështetje të organeve të pushtetit vendor, në 151 raste në mbështetje të personave juridikë dhe fizikë, si dhe në 2434 raste janë kryer shërbime për të zbatuar aktet e prokurorisë dhe të gjykatës” thotë Sulejmani, duke përfunduar se në muajin tetor, policia ka garantuar zhvillimin normal të veprimtarive shtetërore në 158 raste, të veprimtarive kulturore e fetare në 290 raste dhe të tubimeve e manifestimeve në 87 raste.

Top Channel