Qindra miq, shokë, të afërm dhe familjarë i dhanë lamtumirën e fundit Lirak Bejkos, 47-vjecarit i cili ndërmori gjatë grevës së urisë së të përndjekureve politikë aktin e vetëflijimit, duke i vënë zjarrin vetes.

Lotët dhe dhimbja i ka shoqëruar gjatë 2 orëve që u kryen homazhet në ambientet e Instutit të Integrimit të të përndjekureve politikë. Shokët e tij të bashkëvuajtjes gjatë dhe  pas ngushëllimeve kërkuan vazhdimin e protestave.

Gjergj Ndreca njëri ndër miqtë e tij më të afërt tha se sakrifikimi i tij nuk është shuar, por sapo ka filluar revolta shpirtërore për këto padrejtësi.

Homazhe ka kryer edhe kreu i Partisë Socialiste Edi Rama, i shoqëruar nga një grup i deputetëve të PS-së. Rama gjatë komentit të tij në faqen e tij të rrjetit social Tëitter do të akuzonte qeverinë se me një fuqi shkatërruese dhe arrogante e ka kthyer në ferr jetën e shqiptarëve.

Rama shkruan se “Lamtumira për Lirakun, mes njerëzish të vrarë 22 vjet në çdo shpresë prej atyre që u morën votën dhe u ofruan veç një ferr të ri. E pashlyeshme pamja ëngjëllore e dy vajzave jetime që babanë e dalë gjallë nga ferri komunist ua treti në flakë ferri i ri i zhgënjimeve…E pamundur të harrohen nëna dhe gruaja e të ndjerit të ndarë forcërisht prej tyre nga fuqia shkatërruese e arrogancës së këtij pushteti! U prehtë në paqen që s’e gjeti dot asnjë sekondë në rrugën e vet nga një ferr në tjetrin dhe shërbeftë akti i tij për një reflektim dinjitoz”.

Akuza për qeverinë hodhën edhe kreu i Aleancës Kuqezi, si edhe deputeti Oketa. “Të gjithë ata që marrin përsipër që me veprimet apo mosveprimet e tyre të ndikojnë në jetën e qytetarëve, të reflektojnë”, deklaroi Oketa. “Ky regjim ka filluar të vrasë njerëz në mënyrë zyrtare dhe politike. Po merren jetë njerëzish”, u shpreh më pas Spahiu.

Trupi i Lirak Bejkos u shoqërua nga miqtë dhe të afërmit e tij për në varrezat e Sharrës. Nën sfondin e Himnit të Flamurit shokët e tij të burgut në kohën e diktaturës dhe pjesëmarrësit e grevës së urisë e shoqëruan arkëmortin me trupin e të ndjerit drejt banesës së fundit duke konsideruar aktin e tij si të një heroi të demokracisë.

Top Channel