Elbasan, shkolla e shkatërruar

07/11/2012 00:00

Shkolla 9-vjeçare e fshatit Tregan, në rrethin e Elbasanit, ndodhet në kushte jo të përshtatshme për zhvillimin e një proçesi mësimor normal.

Nxënësit mësojnë mes lagështirës së tavanëve që pikojnë dhe suvave që bien, ndërkohë që një laborator informatike i vendosur disa kohë më parë ka rënë pre e grabitjes.

E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, në këtë shkollë prej 3 vitesh mungojnë edhe tualetet për 250 nxënës.

“S’kemi banjo. Janë prishur dhe s’janë rregulluar akoma. E bëjmë tek pylli. Kemi pak frikë, por dalim dyshe-dyshe”, tregon një nxënës.

Drejtoria e shkollës i është drejtuar komunës për të ndërhyrë për riparimin e saj, por komuna Tregan ndodhet përballë vështirësive financiare për shkak të bllokimit të grantit nga qeveria.

“Ne i kemi evidentuar ato probleme dhe jemi munduar të bëjmë maksimumin brenda mundësive tona. Bllokimi është jo i drejtë pasi kundërshton ndërhyrjen për përmirësimin e infrastrukturës në ambjentet shkollore”, deklaron Behar Tashi, kryetar i komunës Tregan.

Sipas kryetarit të komunës, bllokimi i grantit nga qeveria ka paralizuar të gjitha investimet e parashikuara dhe shumë shpejt edhe administrata e komunës do të mbetet pa paga.

Top Channel